Flamuri kuq e kaltër me yllin me pesë cepa të Koresë së Veriut nuk është diçka që zakonisht gjendet mes predhave dhe llogoreve të shpërthyera në Ukrainë, por një foto e tij përkrah trengjyrëshit rus ka ngjallur frikë e zemërim në mesin e ushtarëve në vijat e frontit.
Gjatë gjithë luftës, Koreja e Veriut ka qenë një aleat i palëkundur i Rusisë, duke dërguar para për armë, duke siguruar predha artilerie dhe duke nënshkruar një marrëveshje të ndërsjellë të mbrojtjes që përcaktonte se të dyja vendet do të ndihmonin njëri-tjetrin të zmbrapsnin agresionin e jashtëm.
Bëhet e ditur se gjatë javës së kaluar, Pheniani duket se ka dërguar ushtarë jo vetëm në Rusi, gjë që Lloyd Austin, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, e konfirmoi, por potencialisht në vijat e frontit ukrainas, shkruan the Telegraph.
Një zyrtar ushtarak që lufton jashtë Pokrovsk tha se brigada e tij kishte parë njerëz që dukej se ishin aziatikë lindorë duke ecur përreth dhe se kishte “shumë” të tillë në anën ruse.
“Është e pamundur t’i identifikosh apo të konfirmosh dikë. Ata kanë mbledhur rezerva dhe tani po shtyjnë fort drejt Selidovos, një qytet në rajonin e Pokrovsk”, tha zyrtari.
Por, zyrtari ushtarak nuk është i vetmi që thotë se ushtarët e Koresë së Veriut mund të kenë zbarkuar në Ukrainë.
Kohët e fundit, një mesazh nga ushtria ukrainase tregonte shenjat dalluese të Koresë së Veriut.
Megjithatë, Kievi nuk ka konfirmuar ende se ushtarët koreano-verior mund të jenë në Ukrainë.
Ndërsa Ukraina është e pasigurt, u konfirmua nga SHBA-ja se 3,000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen në Rusi për momentin dhe se numri i tyre pritet të rritet në 10,000 deri në dhjetor.
Është e pasigurt saktësisht se si ushtarët e Phenianit mund ta ndihmojnë Rusinë të arrijë fitoren.
Ata janë të paprovuar në luftime, pasi hera e fundit që Koreja e Veriut u përfshi drejtpërdrejt në një betejë në shkallë të plotë ishte gjatë Luftës Koreane, e cila përfundoi 71 vjet më parë.
Burimi: botasot.info