Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me organizimin e votimit jashtë Kosovës, veçanërisht procesin e votimit përmes postës, duke theksuar se të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe me masa të shtuara sigurie.
Në një sqarim të detajuar, KQZ bëri të ditur se, në zbatim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe organizimin e votimit si në përfaqësitë diplomatike, ashtu edhe përmes postës.
Sipas KQZ-së, procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora ka përfshirë mekanizma të veçantë verifikimi, përfshirë fotografimin në kohë reale të aplikuesit me dokument identifikimi, si dhe dërgimin e një dëftese unike regjistrimi në adresën elektronike të secilit votues.
Institucioni zgjedhor ka theksuar se për votimin fizik janë hapur 30 qendra votimi në ambasada dhe konsullata, ndërsa për votimin me postë janë vendosur kuti postare në 22 shtete të ndryshme të botës.
KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se, për të rritur sigurinë e procesit, në dy proceset e fundit zgjedhore votuesve u janë dërguar fletëvotime të shtypura nga vetë institucioni, të pajisura me elemente sigurie të ngjashme me ato që përdoren në vendvotimet brenda Kosovës.
Në reagim sqarohet edhe procedura e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë vendit. Sipas KQZ-së, zyrtarët e autorizuar të përfaqësive diplomatike kanë kryer tërheqjen e zarfeve, të cilat më pas janë evidentuar, vulosur me lidhëse sigurie dhe janë dërguar në Kosovë përmes postës diplomatike.
Pas mbërritjes në Kosovë, zarfet i janë nënshtruar procesit të verifikimit dhe vlerësimit në prani të vëzhguesve të akredituar. KQZ thekson se gjatë hapjes së thasëve dhe shqyrtimit të zarfeve nuk është evidentuar asnjë parregullsi.
“Vëzhguesit e organizatave të akredituara dhe të subjekteve politike kanë qenë të pranishëm pothuajse gjatë gjithë procesit dhe nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje”, thuhet në njoftim. Në fund, KQZ ka nënvizuar se procesi i votimit përmes postës, tërheqja e pakove, verifikimi dhe numërimi i votave janë zhvilluar me transparencë të plotë dhe se deri më tani nuk është paraqitur asnjë ankesë zyrtare apo vërejtje nga vëzhguesit e akredituar lidhur me këto procedura.
Burimi: botasot.info


