Kriptovaluta “Dogecoin”, logo e të cilës është një qen super i lezetshëm, ka përjetuar rritje që kur Donald Trump u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA javën e kaluar, raporton agjencia “AP”.
Ajo po vazhdon të rritet. Trump të mërkurën ka emëruar Elon Muskun, si një nga drejtuesit e “Departamentit për Efiçencë Qeveritare”, që nuk është një agjenci qeveritare dhe ka marrë akronimin “DOGE”.
“Dogecoin” është një kriptovalutë, që fillimisht u krijua si shaka. Por, me kalimin e kohës “Dogecoin” ka fituar numër të madh të adhuruesve të cilët në mënyrë periodike e kanë rritur çmimin e tij. Ashtu si kriptovalutat tjera, mbështetësit thonë se mund të përdoret për të blerë e shitur gjëra në internet, pa pasur nevojë të shqetësohen nëse një bankë qendrore apo Qeveria do të ndikojë në numrin se sa janë në qarkullim.
Një “Dogecoin” vlente më pak se 16 centë pak para ditës së zgjedhjeve në SHBA më 5 nëntor. Por, vlera ka shkuar në afro 40 centë.
Kriptovalutat kanë pësuar në përgjithësi rritje që kur Trump është zgjedhur president. “Bitcoin”, e cila është kriptomonedha më e famshme, arriti shifër rekord prej 92 mijë dollarë, ndërsa e kishte nisur këtë vit në vlerë 43 mijë dollarë.
Arsyeja është pasi Trump kishte thënë se dëshiron që SHBA-ja të jetë “kryeqytet i kriptovalutave në botë” dhe të krijojë “një rezervë strategjike” të “Bitcoinave”.
Burimi: botasot.info