A$AP Rocky, i njohur zyrtarisht si Rakim Mayers, është arrestuar ditën e djeshme në aeroportin ndërkombëtar të Los Angelesit.
Ka qenë TMZ që ka konfirmuar lajmin në fjalë. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes kanë treguar se partneri i këngëtares së famshme, Rihanna, fluturoi nga Barbados në Los Angeles, ku u prit nga policët.
Këta të fundit më pas i kanë vendosur prangat reperit të njohur. A$AP Rocky kishte mbërritur së bashku me Rihanna-n me një avion privat ndërsa të dy ishin kthyer nga pushimet në Barbados.
Rocky, thuhet se ka qenë nën hetim nga LAPD për përfshirjen e tij të dyshuar në një sulm me armë në nëntor të vitit të kaluar, shkruan TMZ.
Viktima e ngjarjes i tha më vonë policisë se reperi, ishte duke ecur me dy të tjerë kur iu afrua me një pistoletë në dorë. Sipas raporteve të policisë, viktima pretendoi se Rocky qëlloi tre deri në katër herë duke shtuar se një nga plumbat i kishte kapur dorën e majtë.
Nga ana tjetër kujtojmë se Rihanna dhe reperi u larguan për në Barbados mes thashethemeve për një tradhti nga ana e Rocky. Artisti u akuzua se kishte tradhtuar këngëtaren me stilisten e njohur të këpucëve por njëkohësisht edhe shoqja e artistes, Amina Mauddi.
Muaddi, e cila qëndroi pas koleksionit Fenty të Rihanna-s, i hodhi poshtë të gjitha akuzat duke thënë se është një gënjeshtër.