Ish-kryeministri i Italisë, Matteo Renzi dhe ish-ministri Carlo Calenda kanë rënë dakord të formojnë një aleancë centriste, nën dritën e zgjedhjeve të ardhshme të shtatorit. Partia e vogël e Renzit, ”Italia Viva” dhe partia e Calendas ”Azione” po kërkojnë të fitojnë terren te votuesit e moderuar për zgjedhjet e 25 shtatorit.
Në sistemin zgjedhor italian, i cili ndan një pjesë të vendeve në parlament sipas votimit të pastër të shumicës, aleanca të tilla janë vendimtare për suksesin. Sipas sondazheve të opinionit, aleanca e qendrës së djathtë e udhëhequr nga partia e djathtë ”Fratelli D’Italia”, aktualisht është në krye dhe ka perspektivat më të mira për të fituar.
Ndërkohë, aleanca e qendrës së majtë e udhëhequr nga social-demokratët e PD-së do të dështojë të fitojë shumicën edhe nëse bashkon forcat me grupin e qendrës, parashikojnë sondazhet. Aleanca e re shpreson të fitojë votuesit nga ”Forza Italia”, të udhëhequr nga ish-kryeministri, Silvio Berlusconi, pasi dy nga fytyrat më të spikatura të partisë së tij, ministrat Mariastella Gelmini dhe Mara Carfagna tashmë janë larguar dhe do t’i bashkohen fushatës zgjedhore të aleancës, të udhëhequr nga Caleda.
Ish-ministri ende shpreson të bindë kryeministrin në largim, Mario Draghi për të qëndruar edhe pas zgjedhjeve.