Parlamenti izraelit miraton 3 projektligje për të forcuar kontrollin mbi organet e sigurisë

December 14, 2022
1 minut lexim

Parlamenti izraelit (Knesset) ka miratuar tre projektligje në leximet paraprake për të siguruar kontrollin e qeverisë së ardhshme mbi organet e sigurisë izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas ligjit izraelit, këto tre projektligje duhet të kalojnë edhe tre votime të tjera në mënyrë që të miratohet në ligj.

Siç raporton gazeta ‘The Times of Israel’, një nga projektligjet, që siguroi 62 vota në parlamentin prej 120 anëtarësh, i lejon kreut të partisë ‘Shas’, Aryeh Deri, të shërbejë si ministër pavarësisht se është dënuar me burg për kundërvajtje tatimore.

Projektligji i dytë, i cili fitoi 61 vota, është një amendament në Ligjin e Policisë që lejon kreun e partisë së ekstremit të djathtë ‘Otzma Yehudit’, Itamar Ben-Gvir, të marrë kontroll më të gjerë mbi policinë në cilësinë e tij si ministër i sigurisë kombëtare në qeverinë e ardhshme.

Para votimit, ministri në largim i Sigurisë së Brendshme, Omer Barlev, paralajmëroi se zgjerimi i kompetencave të ministrit të sigurisë kombëtare do ta kthente Izraelin në një “shtet policor”.

Projektligji i tretë do të lejojë kreun e partisë se ektremit të djathtë ‘Zionizmi Fetar’, Bezalel Smotrich, të shërbejë si ministër brenda Ministrisë së Mbrojtjes dhe të fitojë përgjegjësi mbi Administratën Civile që sundon Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ministri izraelit në largim i Mbrojtjes, Benny Gantz, kritikoi projektligjin që kaloi me 61 vota, duke theksuar se ai do të krijojë një ministri paralele të mbrojtjes.

Ish-kryeministri Benjamin Netanyahu dhe blloku i tij i krahut të djathtë siguruan një shumicë të plotë në Knesset në zgjedhjet që u zhvilluan në fillim të muajit të kaluar.

Të dielën, skadoi afati 28-ditor që i ishte dhënë Netanyahu-t për të formuar qeverinë e re, me presidentin Isaac Herzog që ra dakord të zgjasë afatin edhe për dhjetë ditë të tjera me kërkesë të Netanyahu-t.

Sipas ligjit, afati mund të zgjatet edhe për 14 ditë të tjera. Në rast dështimi, presidenti izraelit cakton një zëvendës tjetër për të formuar qeverinë.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ja kur do të ulen çmimet e produkteve bazë

Story i radhës

Park përkujtimor për viktimat nga aksidenti në Llaskarcë

Të fundit nga

ShkoLartë