Parlamenti i Republikës Sërpska i kërkon Dodikut të mos paraqitet para gjykatës në Bosnje

December 25, 2024
min lexim

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar një rezolutë që kërkon që Millorad Dodik, presidenti prorus i këtij entiteti serb, të mos i përgjigjet thirrjes për paraqitje të lëshuar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës derisa të jetë mirë me shëndet.

Kjo paraqet zbutje të qëndrimit, pasi në tekstin paraprak të rezolutës propozohej që Dodikut t’i kërkohej që të mos i përgjigjej asnjë thirrjeje të gjykatave të Bosnje e Hercegovinës, nga të cilat ai po gjykohet për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në këtë shtet.

Kjo ishte një nga 12 konkluzionet që u miratuan nga Parlamenti i Republikës Sërpska pas shqyrtimit të “informacionit mbi kolapsimin e rendit juridik në Bosnje e Hercegovinë lidhur me shkeljen e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”.

Dodik, i cili së fundi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Beograd, ishte paraparë të paraqitej para gjykatës më 24 dhjetor, por seanca sipas avokatit të tij është shtyrë për 30 dhjetor.

Përderisa ekipi mbrojtës i Dodikut ka argumentuar se ai nuk mund të marrë pjesë në gjykim për disa muaj, kohë që sipas tyre do t’i duhet për t’u rikuperuar, eksperti ligjor Haris Vraniq që është emëruar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, ka përcaktuar se Dodik është i aftë që të marrë pjesë në seanca gjyqësore.

Aktualisht, Dodik po përballet me gjykim pasi ka nënshkruar një dekret presidencial duke i shpallur të vlefshme dy ligje në entitetin serb që paraprakisht ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt.

Përveç Dodikut, Prokuroria po ashtu ka akuzuar Millosh Lukiq, si ushtrues i detyrës së drejtorit të Gazës Zyrtare në Republikën Sërpska, se ka mundësuar publikimin e dekretit të Dodikut.

Dekreti ka të bëjë me amendamente në Ligjin për publikimin e ligjeve dhe rregullativave të tjerë në Republikën Sërpska dhe për Ligjin për vendimet e paaplikueshme të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.

Në mesin e konkluzioneve të miratuara nga Parlamenti i Republikës Sërspka ishte edhe kërkesa që përfaqësuesit e emëruar të Republikës Sërpska në institucionet e Bosnje e Hercegovinës të pezullojnë marrjen e vendimeve derisa Gjykata e Bosnje e Hercegovinës dhe Zyra e Prokurorit të Shtetit të pezullojnë “procesin e motivuar politikisht” kundër Dodikut dhe Lukiqit.

Megjithatë, nuk do të ketë bllokada “nëse vendimet merren lidhur me transferimin e jurdikisionit nga niveli i Republikës Sërpska në nivelin e Bosnje e Hercegovinës”.

Përfaqësuesve të Republikës Sërpska në institucione po ashtu u është kërkuar që të pezullojnë marrjen e vendimeve sa i përket integrimit evropian derisa të plotësohen kushtet që ky proces të vazhdojë “në përputhje me parimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

Shumica parlamentare po ashtu dënoi “ndërhyrjen” e Zyrës së Prokurorit të Shtetit të Bosnjës në punën e Parlamentit të Republikës Sërpska, duke thënë se vendimet e Parlamentit të këtij entiteti mund të shqyrtohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.

Para nisjes së seancës së posaçme plenare, Zyra e Prokurorit kërkoi informacione bazuar në Kodin e Procedurës Penale të Bosnje e Hercegovinës, lidhur me të dhënat që kanë të bëjnë me dyshimet se janë kryer disa vepra penale, përfshirë “marrëveshja për të kryer një vepër penale”, “përgatitja për të kryer një vepër penale” dhe “sulm ndaj rendit kushtetues”.

Në fjalën e tij para Parlamentit, kreu i këtij institucioni, Nenad Stevandiq tha se ky reagim i Prokurorisë bazohet “në gënjeshtra”.

Në konkluzionet e tjera të miratuara u tha se Parlamenti i Republikës Sërpska “mbetet i përkushtuar në respektimin e integritetit territorial dhe ndarjes së sovranitetit mes entiteteve sipas Dejtonit”, por Përfaqësuesi i Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria u akuzuan se po e shkelin Marrëveshjen e Dejtonit.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet thanë se shkelja e Dejtonit “kulmoi me gjykimin e motivuar politikisht kundër presidentit të Republikës Sërpska”. Ky gjykim, sipas tyre, “është rezultat i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Dodikut”.

Që nga viti 2017, Dodik është nën sanksione amerikane për pengim apo kërcënim për të penguar Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit.

Më 2022, ndaj tij u vendosën sanksione të tjera të cilat e akuzojnë Dodikun për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shkeljen, pengimin apo kërcënimin e zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit si dhe për aktivitete korruptive./REL

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Maresca: Jemi të dytët por në Premier League s’ka asgjë të sigurtë

Story i radhës

Kosova ka mbi 2 milionë e 100 mijë përdorues të telefonisë mobile

Të fundit nga

Zhegrova kërkohet me ngulm në Serie A

Juventus dhe Roma janë dy klubet që kanë shfaqur interes më të lartë për të transferuar sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës që aktivizohet te Lille, Edon Zhegrovën. Sipas raportimeve të medieve italiane
ShkoLartë