Parlamenti Evropian miraton rezolutën për njohjen e ‘Holodomor’-it në Ukrainë si “gjenocid”

December 15, 2022
min lexim

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë që njeh si “gjenocid” urinë e viteve 1932-1933 në Ukrainë, e njohur si ‘Holodomor’, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Deputetët evropianë i dënojnë me forcë këto akte që rezultuan në vdekjen e miliona ukrainasve dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve dhe organizatave që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të ndjekin shembullin dhe ta njohin atë si gjenocid”, thuhet në një njoftim nga asambleja evropiane.

Rezoluta akuzon qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për “shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës duke synuar të likuidojë Ukrainën si një shtet kombëtar dhe të shkatërrojë identitetin dhe kulturën e popullit të saj” në luftën midis dy vendeve që filloi më 24 shkurt.

“Ajo gjithashtu dënon faktin se lufta në vazhdim ka krijuar një krizë globale ushqimore, me Rusinë që shkatërron dhe plaçkit depot e drithërave të Ukrainës dhe që vazhdon të vështirësojë sigurimin e eksporteve të drithërave ukrainase në vendet më të privuara në botë”, theksohet në njoftim.

Ligjvënësit evropianë po ashtu kërkuan nga Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet e treta të rrisin ndërgjegjësimin për ‘Holodomor’-in dhe për “krime të tjera të kryera nga regjimi totalitar sovjetik”.

“Duke dënuar regjimin aktual rus për manipulimin e kujtesës historike me qëllim të mbijetesës së tij, parlamenti i bën thirrje Federatës Ruse, si pasardhësja parësore e Bashkimit Sovjetik, të kërkojë falje për ato krime”, theksohet në njoftim.

Në një rezolutë tjetër, dje parlamenti çek e njohu ‘Holodomor’-in si gjenocid, ndërsa ligjvënësit gjermanë të njëjtën gjë e bënë në muajin nëntor.

‘Holodomor’-i konsiderohet si një nga ngjarjet më të dhimbshme në historinë e Ukrainës.

Sipas Institutit të Kujtesës Kombëtare të Ukrainës, të paktën 3,9 milionë persona humbën jetën nga uria midis viteve 1932 dhe 1933 si rezultat i politikave të liderit sovjetik, Joseph Stalin dhe “kolektivizimit” të bujqësisë.

Bashkimi Sovjetik zbatoi kolektivizimin e sektorit të tij bujqësor midis viteve 1928 dhe 1940 për të integruar tokat individuale dhe fuqinë punëtore në ferma të kontrolluara kolektivisht dhe ferma të kontrolluara nga shteti. Nga kjo u prek një pjesë e konsiderueshme e perëndimit dhe jugut të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS).

Vlerësimet arrijnë në përfundim se 5,7 deri në 8,7 milionë njerëz vdiqën nga uria në të gjithë Bashkimin Sovjetik.

Ukraina pretendon se uria në territorin e saj ishte e “qëllimshme” dhe e ka quajtur atë një “gjenocid të popullit ukrainas”.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Drake ka qenë prag fejesës 42 herë, por shihni çfarë bëri me të gjitha këto unaza

Story i radhës

Danimarkë, për herë të parë pas 44 vitesh koalicion mes partive djathtiste dhe majtiste

Të fundit nga

ShkoLartë