Një park i madh prej 3 hektarësh po ndërtohet në Kodrën e Trimave e i cili do të përmbajë më vete parkim të veturave, tregun e veturave, tregun e druve, lokale, poligone dhe auto-shkollë.
Gjithashtu parashihet që ky park të krijojë lehtësira dhe përfitime jo vetëm për banorët e lagjes, por për gjithë kryeqytetin.
Hapësira pre 3 hektarësh në Kodrën e Trimave tashmë është para përfundimit. Është duke përfunduar instalimi i gjithë infrastrukturës së nevojshme: uji, rryma, kanalizimi dhe ka mbetur vetëm përfundimi i asfaltimit.
“Kemi këtë hapësirën me 3 hektar sipërfaqe. Jemi duke e përgatitur tregun e druve, të veturave, pjesën e auto shkollave, hapësirë parkimi në pjesën e parë të Kodrës së Trimave edhe ideja është që me shfrytëzuar me biletë të integruar, d.m.th. parkon dhe udhëton me të njëjtën linjë të udhëtimit dhe kështu që mendojmë që kjo hapësirë deri në fund të vitit të asfaltohet dhe të mbyllet komplet dhe të lirohet për pjesën e hapësirës së tregut”, tha Krenar Xhaferi, drejtor për investime kapitale në Komunën e Prishtinës.
“Këtu jemi veç në përfundim e sipër të punimeve. Ciklin për kanalizimin dhe ujërat fekale pothuajse e kemi realizuar , tash jemi në fazën e instalimit të rrymës dhe shtyllave të ndriçimit edhe pjesën e bazamentit të rrugëve. Mendojmë që në një periudhë dy – tri javore ta finalizojmë plotësisht”, tha inxhinieri Florim Abazi.
Ky projekt në këtë lagje llogaritet si ndër projektet më të mëdha, me shumë vështirësi deri te realizimi por gjithsesi pritet të përfundojë deri në dhjetor.
Burimi: botasot.info