Policia pariziene arrestoi një person që kërcënoi më herët ta hidhte vetën në erë në konsullatën e Iranit në Paris, tha një burim nga organet e rendit.
Individi doli nga konsullata dhe u kontrollua nga forcat speciale të policisë dhe në fakt nuk kishte mjete shpërthyese, tha një burim policor.
Policia franceze formoi më herët një kordon përreth konsullatës iraniane në Paris pas njoftimeve se një burrë kishte kërcënuar ta hidhte vetën në erë atje. Një burim policor i tha agjencisë së lajmeve Reuters se kishte njoftime se individi në fjalë u pa rreth orës 11 duke hyrë në konsullatën iraniane, me një mjet në dorë që dukej të ishte një granatë dhe një jelek me mjete shpërthyese.
Policia franceze shkoi në vendin e ngjarjes ndërsa i kërkoi publikut që ta shmangte zonën. Shërbimi i metrosë u ndërpre në një stacion pranë konsullatës, njoftuan zyrtarët. Një individ në ambasadën iraniane i kontaktuar nga agjencia e lajmeve Reuters nuk pranoi të komentonte mbi situatën. Nuk është e qartë nëse incidenti kishte ndonjë lidhje me shtimin e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit.
Në orët e hershme të ditës së premte sulme me raketa goditën disa zona brenda Iranit, sipas burimeve që i cilësuan ato si sulme izraelite.
Teherani ka lënë të kuptohet se nuk ka plane për hakmarrje, një reagim që duket se tregon shmangien e një lufte rajonale/VOA