Lideri i opozitës izraelite Yair Lapid i dërgoi një paralajmërim qeverisë së këtij vendi lidhur me muajin e shenjtë të Ramazanit, dhe tha se tensionet në Izrael mund të përshkallëzohen nëse ministri radikal i djathtë Itamar Ben-Gvir vazhdon të vërë në dyshim sigurinë.
Siç raporton Times of Israel, në një takim të partisë Yesh Atid të kryesuar nga Lapid, ai tha se Lindja e Mesme, veçanërisht Jerusalemi dhe Izraeli, do të “digjeshin” nëse ministrit të Sigurisë Kombëtare i lejohej të menaxhonte situatën në zonat përreth xhamisë Al-Aksa dhe zonën e Jeruzalemit Lindor.
“Unë e konsideroj detyrën time të paralajmëroj qeverinë. Vendi nuk është gati për këtë. Nuk ka përgatitje. Nuk ka plan. Nuk ka pasur diskutime operacionale dhe politike në nivelin adekuat. Po shkojmë drejt një fatkeqësie tjetër”, tha Lapid.
Lapid theksoi gjithashtu se kompetencat e Ben-Gvir duhet të zvogëlohen, gjë që, nënvizon ai, është detyrë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Kjo është ajo që ai dëshiron, por nuk është ajo që i duhet shtetit të Izraelit. Ne nuk kishim nevojë për një intervistë në Wall Street Journal për të na kujtuar se Ben-Gvir është një palaço i rrezikshëm që preferon të ndezë një zjarr sesa ta shuajë atë. Gjatë Ramazanit, ai mund të shkaktojë një zjarr të përhapur që do të na kushtonte jetë njerëzore. Unë po i them qeverisë – ju jeni paralajmëruar”, shtoi Lapid.