Deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli në emisionin Klan Debat ka përshëndetur iniciativën dhe paralajmërimet e Ambasadores së SHBA-së për zbulimin e aferave korruptive dhe funksionarëve të korruptuar dhe shtoi se pret rezultate konkrete së shpejti. Ndërsa sa i përket anulimit të vizitës së delagacionit amerikan në vend, Bilalli Zendeli u shpreh se bëhet fjalë për shtyrje të vizitës për një periudhë jo shumë të gjatë, deri pas festave të fundvitit.
“Me bindje të plotë mund të konstatoj se që nga momenti i zbritjes së zonjës Ageler sikur u tentua e u arrit që përhapet një energji kundër korrupsionit dhe mendoj se jorastësisht ato mesazhet e para të saj, që i dërgoi në mënyrë mjaft direkte ishin për luftën kundër korrupsionit. Patjetër se mirëpresim një iniciativë të tillë dhe pres që së shpejti të ketë rezultate”, deklaroi Arta Bilalli Zendeli.