Fokus i parafushatës zgjedhore për partitë politike del të jetë diaspora. Tubime të njëpasnjëshme kanë atje pothuajse secila parti politike. Mirëpo, po vihet në pikëpyetje se sa është legjitime që bartësit e funksioneve shtetërore të angazhohen me parafushatë.
Të paktën edhe tre muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare.
E një parafushatë nga partitë politike veçse ka filluar.
Kryeqendra e tyre është diaspora.
Por pjesëmarrja e bartësve të funksioneve qeveritare në këto tubime vlerësohët se vë në pikëpyetje legjitimitetin e këtij angazhimi.
“E tërë infrastruktura shtetërore po përdoret për fushatë. Në qoftë se e shohim se sa njerëz udhëtojnë në diasporë, infrastruktura e misioneve që përdoret në diasporë për të shkuar nga fushata në fushatë dhe kostoja që e përmbanë ajo, atëherë nuk e di se sa është legjitime dhe sa është ligjore kjo që po e bën qeveria”, thote analisti Blerim Canaj.
Vënia në fokus e diasporës për parafushatë, po konsiderohet se nuk do ta shpërfaq realitetin e llogaridhënies për përmbushje apo jo të premtimeve të dhëna.
“Ata edhe pse do të mund të votojnë, në të njëjtën kohë nuk do të jenë këtu për të parë se cilat nga ato premtime do të realizohen nga vet ata të cilët po premtojnë, pra nuk do t’i shohin ata duke i implementuar të njëjtat projekte që i prezantojnë para diasporës. Dhe kjo është e dëmshme për neve, pasi nuk mund të bazohemi në fjalët e individëve pa e parë njëherë një program politik që prezantohet atëherë kur është fushata”, tha Viona Bunjaku, Lëvizja Fol.
Pjesa më e madhe e këtyre tubimeve, janë mbajtur në qytete të ndryshme të Gjermanisë.
BURIMI: Bota Sot