Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ditën e enjte njoftoi se qytetarët e kryeqytetit tani kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat.
Sipas Ramës, nga data 1 janar 2025, edhe operatorët privatë do të operojnë sipas të njëjtave kushte si Trafiku Urban, duke përfshirë këtu edhe çmimet e biletave, e ku thuhej se bileta ditore e cila kushton 80 cent, vlen po ashtu për të gjitha linjat.
Mirëpo rreth kësaj bilete ka disa paqartësi, pasi disa qytetarë janë ankuar në redaksinë e telegrafit, duke thënë se biletën ditore tashmë nuk po mund ta përdorin për 24 orë, pasi sipas kondukterëve ajo vlen vetëm për tetë orë.
Për këtë problem, media ka kontakuar me Trafikun Urban, të cilët në një përgjigje për median, thonë se bileta ditore vlen në të gjitha linjat, për datën të cilën është blerë.
“Ju njoftojme se çmimet dhe oraret për linjat e autobusëve i përcakton Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Shërbimeve Publike. Bileta ditore 0.80 cent vlen në të gjitha linjat, për datën të cilën është blerë bileta deri në orën 00:00. Po ashtu për informata të tjera mund të informoheni nga Komuna e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Më herët, qytetarët kanë mundur ta shfrytezojnë biletën ditore për 24-orë, ndërsa me ndryshimet e reja duket se ajo do të përdoret vetëm në datën që është blerë.
Burimi: botasot.info