Mbi 5000 banorë të fshatit Pallaticë të komunës së Zhelinës, në këto ditë me temperatura tropikale, vuajnë mungesën e ujit për pije. Sistem të ujësjellësit kemi, thonë banorët, por ujë në të nuk ka. Shumica e tyre, zgjidhjen për sigurimin e ujit e kërkojnë përmes hapjes së puseve. Banorët ankohen për mos përfillje nga pushteti qendror dhe pushteti lokal, ndërkohë që pinë ujin e ndotur që e nxjerrin nga toka përmes puseve, por që në shumicën e rasteve, rezulton i përzier me ujërat e zeza.
“Ujë për pije s’ka, rrjeti i ujësjellësit është i gatshëm i përfunduar, por ujë për pije s’ka, blejmë si përherë. Uji i pijshëm këtu është helm, jo vetëm për pije por edhe për higjienë s’është i përdorshëm. Kemi raste kur shkaku ujit fëmijë të vegjël rezultojnë me gurë në veshke, andaj askush se përdor për pije ujin”.
“Jo vetëm ky por edhe vendbanime të tjera për rreth, çështja e ujit kah duhet të vij është projekt i madh dhe duhet angazhuar edhe pushteti lokal por edhe qeveria sepse kushtojnë shumë dhe kërkojnë kohë”.
“Rrjeti kryesor është i vendosur bashkë me kanalizimin por nëpër amvisëri s’është gati ende. Pompat në Zhelinë u vendosën që në 2016, por deri tani asgjë s’ka”.
Kontaktuam edhe komunën e Zhelinës, nga ku, kreu i komunës Blerim Sejdiu, është shprehur se ka projekt për zgjidhjen e këtij problemi, me të cilin është aplikuar në Ministri të Ekologjisë. Mjetet, tha Sejdiu janë miratuar dhe po pritet drita jeshile për përdorimin e këtyre mjeteve dhe të fillojë zgjidhja e problemit me ujin e pijes për Pallaticën dhe Uzurmishtin. /Alsat