Arabia Saudite po përgatitet për dy super-goditje në merkato dhe emrat kryesorë janë Mohamed Salah dhe Vinicius Junior. Sipas raportimeve nga “Flashscore”, Salah mund të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit, pasi këtë vit po kalon një periudhë të dobët forme dhe është lënë disa herë jashtë formacionit nga trajneri Arne Slot. Brenda klubit besohet se sezoni aktual mund të jetë i fundit për 33-vjeçarin në Anfield, ndërsa ekipet nga Arabia Saudite janë gati t’i ofrojnë rreth 150 milionë paund në vit për ta bindur.
Al Hilal shihet si destinacioni më i mundshëm, por edhe Al-Qadsiah është futur në garë. Për sauditët, Salah prej kohësh është përkufizimi i transferimit ideal që mund t’i rrisë ndjeshëm profilin global të ligës së tyre.
Situata e Vinicius Junior te Real Madridi është më e komplikuar. Klubi madrilen dëshiron ta mbajë dhe t’i ofrojë kontratë të re, por marrëdhënia e tij me trajnerin Xabi Alonso duket e tendosur në prapaskenë. Pas Botërorit 2026, brazilianit do t’i mbetet vetëm një vit kontratë dhe Arabia Saudite po e studion me vëmendje këtë mundësi.
Burime të brendshme thonë se ofertat për Viniciusin do të jenë edhe më të larta se ato për Salahun, për shkak të moshës dhe profilit të tij. Al Ahli përmendet si skuadra më e interesuar, edhe pse pritet që Real Madridi së shpejti të hapë bisedimet për rinovim.
Pas transferimit të Cristiano Ronaldos, Arabia Saudite po kërkon yllin e saj të radhës dhe viti 2026 mund të jetë momenti i madh.
Burimi: botasot.info


