Ish kandidati për kryetar të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas ndarjes së fondeve nga Qeveria e Kosovës për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën. Fonde nga të cilat po dyshohet se kanë përfituar njerëz të lidhur me këshilltaren e kryeministrit Kurti, Ardita Sinanin.
Përmes një postimi në Facebook, Pajaziti ka shkruar se nëse nuk kërkojnë llogari nga Këshilli Kombëtar Shqiptar për ndarjen e fondeve, do të mbesim gjithnjë pa përgjigje dhe pa përgjegjësi.
“Nuk janë në pyetje 1 mijë euro, por 1 milion. Nuk është në pyetje një ndihmë e përmuajshme, por ndihmë e parë e tillë nga Qeveria e Kosovës. Nuk është në pyetje një individ, por janë disa. Nëse nuk kërkojmë llogari dhe transparencë në vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për shpërndarjen e mjeteve, do të mbesim gjithnjë pa përgjigje dhe pa përgjegjësi, dhe frika është që kjo metodë të vazhdojë”, shkruan Pajazitaj.
Poashtu, ai ka shtuar se një ndarje e tillë e fondeve mund të krijojë padrejtësi në Luginë, njëlloj sikurse ka padrejtësi mes serbëve të Kosovës.
“Frika është se ky lloj vlerësimi, kjo metodë e shpërndarjes, mund të pasurojë individë të caktuar. Nëse Qeveria e Kosovës, e ka në plan të pasurojë disa individë në Luginën e Preshevës, do të krijojë më shumë padrejtësi, e do të kemi më shumë pabarazi. Njësoj siç ka krijuar Serbia në mes serbëve të Kosovës”, u shpreh ai.