28
Shkup, 31 tetor – Rritja e pagës minimale, rritja e pensioneve, pagave në shëndetësi e arsim janë pothuajse ndër premtimet kryesore me të cilat garojnë pothuajse gjitha partitë politike në gjitha ciklet zgjedhore. Kjo për faktin që përmes prekjes së këtyre shtresave tërheqin edhe numër më të konsiderueshëm votuesish. Tani, është bërë edhe planifikimi i buxhetit për vitin 2025 përmes të cilit buxhet është paraparë rritje e pagave në shëndetësi, arsim, rritje e pagës minimale. Ky është lajm i mirë për të gjithë këto kategori që preken nga ky vendim për faktin se është tejet e rëndësishme kjo rritje pagash për të përballuar rritjen e hovshme e të jashtëzakonshme të çmimeve të elementeve bazike për jetesë, shkruan Zhurnal.
Do të rriten pagat në arsim e shëndetësi, paga minimale dhe pensionet –
Janë paraparë 5.5 miliardë denarë vetëm për rritjen e pagave, ka bërë të ditur ministrja e Financave, Gordana Dimietrieska – Koçoska në paraqitje para mediave. Në këtë shumë do të hyjë rritja e pagave në arsimin fillor dhe të mesëm dhe rritja e pagës minimale. Mjete shtesë janë paraparë edhe për rritjen e pagës në shëndetësi.
“5.5 miliardë denarë kemi për rritje të pagës. 2 miliardë janë për arsimin kurse të tjerët 3.5 miliardë denarët tjerë ku janë? Me shumë gjasë do të shkojnë në rritjen e pagës minimale që parashihen me ligj. Për këtë potencova – se 5.5 miliardë denarë shkojnë për rritjen e pagave, Prej të cilave, 2 miliardë shkojnë arsimin – arsimin fillor dhe të mesëm dhe atë çfarë e biseduam me Sindikatën. Për Fondin Shëndetësor, sepse ai nuk hyn në sistemin e pagave janë ndarë 5.2 miliardë janë ndarë sepse, për punëtorët shëndetësor, jashtë kësaj skeme të pagës minimale, kemi poashtu rritje. Paratë tjera janë në buxhet dhe do të ketë rritje edhe të pagave tjera”, tha ministrja.
E pyetur disa herë se a do të thotë kjo se paga minimale do të jetë 450 euro si që ka kërkuar Sindikata, Koçoska deklaroi se detajet pritet të harmonizohen në Komisionin ekonomik mes Sindikatës dhe pjesëtarëve të Qeverisë.
“Le të mbarojnë bisedimet mes tyre. E rëndësishme është se janë ndarë mjete për atë qëllim. 5.5 miliardë denarë” – tha Koçoska.
Do të rriten edhe pensionet. Për këtë janë ndarë 105 miliardë denarë që do të shkojnë për Fondin për Sigurim Pensional.
“105 miliardë denarë do të jenë mjetet e përgjithshme që do të shkojnë për FSP-në”, tha Dimitrieska – Koçoska.
Numri i qytetarëve të varfër shkon në rritje –
Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që kishte disa masa për ngrirje të çmimeve, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.
Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.
Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.
Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa antikrizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.
Shpresa e ka humbur rrugën në Maqedoninë e Veriut, madje është absurditet të dëgjohet prej ndokujt që shpreson që gjendja do të ndryshoj në aspekt pozitiv. Të rinjtë nuk shohin të ardhme, të punësuarit të pa kënaqur me pagat, të moshuarit me pensione që as për kontrolle mjekësore nuk janë të mjaftueshme. Pra, e gjithë kjo katrahurë shkakton krizë edhe më të thellë në Maqedoninë e Veriut, që do të futemi në “krizë qytetarësh”, ku vendi do të zbrazet dhe do të bëhet i pa banueshëm. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk