“Paga europiane për ju, por edhe për ne”/Të zhgënjyer nga Qeveria, punonjësit në gjyqësor kërkojnë ndihmë nga deputetët

Nga Parlamenti, deri te Ministria e Drejtësisë dhe në fund te Qeveria, nga sjellja e së cilës janë të zhgënjyer. Në marsh ku u dëgjua kënga e famshme “Buxhav Lebac” nga grupi S.A.R.S., dolën punonjësit e shërbimit gjyqësor dhe të prokurorisë, nga Fondi i Shëndetësisë, si dhe nga Avokati i Popullit, në organizim të AOGJSH-së. Ata thonë se janë të zhgënjyer me Qeverinë, andaj kërkojnë ndihmë nga deputetët në Kuvend.

“Duke pasur parasysh se buxheti i propozuar tashmë është para deputetëve, dhe i njëjti nuk parashikon rritje të pagave të administratës gjyqësore, kërkojmë nga të gjitha partitë politike të na mbështesin në kërkesat tona. Jemi tejet të zhgënjyer nga qasja e Qeverisë, e cila nuk i dëgjoi kërkesat tona të drejta, e që në fund na ofendoi përmes zëvendëskryeministrit Bytyqi, i cili akuzoi administratën gjyqësore për zvarritje të rasteve”, tha Jasmina Veliçkova, përfaqësuese e Sindikatës së pavarur të shërbimit gjyqësor.

“Dy muaj grevë në Prokurori, që ende po vijon. Një vit i tërë protesta në drejtësi, negociata me qeverinë që u ndërprenë vetëm për shkak të arrogancës së zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi dhe buxhet për vitin 2024 ku nuk ka asgjë për punëtorët, por ka 78 për qind për funksionarët. Edhe për më keq, qeveria synon të ndryshojë sa më shpejt të gjitha ligjet speciale me procedurë të shkurtuar, ose me flamur europian, në mënyrë që punonjësit të mos kenë harmonizim në muajin mars kur do të rritet paga minimale”,theksoi Tërpe Deanoski, AOGJSH.

“Nëntë muaj, nëntë muaj, më falni për shprehjen, askush nuk na merr në dorë. Kishim takime me Këshillin Gjyqësor, por ata ia hedhin topin Financave, Drejtësisë etj. Ne nuk kërkojmë asgjë, kërkojmë vetëm, paga europiane për ta, paga  europiane për ne”, pohoi Goran Risteski, Sindikata e pavarur e administratës shtetërore.

Ministrja e Punës dhe Politikës SocialeJovana Trençevska thotë se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë, por shton se tashmë është nënshkruar kontrata kolektive me sindikatat përfaqësuese, me çka u  përcaktua dinamika e rritjes së pagave.

“Me marrëveshjen e re të përgjithshme kolektive, në shtator i kemi rritur pagat për 10% të të gjithë punonjësve në sektorin publik, është planifikuar rritje për shtatorin 2024 dhe nga marsi 2025 do të mund të vendosim metodologjinë e re e cila do të jetë me koeficiente të shumëzuar me pagën mesatare. Është një marrëveshje që pas 16 apo 17 viteve e lidhëm me Sindikatat si sindikatë përfaqësuese dhe ramë dakord që kjo të jetë metodologjia për rritjen e pagave”, theksoi Jovana Trençevska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.

Punonjësit e gjyqësorit dhe prokurorisë publike që nga 27 shtatori janë në grevë, duke kërkuar pagesën e shtesave të pagave dhe rritje të pagave prej 78%, shuma me të cilën u rritën pagat e funksionarëve.

Burimi: TV21

Story i mëparshëm

Juventusi kërkon sulmuesin e Bolognas në Seria A

Story i radhës

Pak para përfundimit të gjysmëvjetorit, nxënësit e Idrizovës nisën mësimin në Çair

Të fundit nga