Të premten në mbrëmje media zvicerane “Blick” ka raportuar se Xherdan Shaqiri është gati të transferohet në skuadrën amerikane Chicago Fire. Ai tashmë është afër marrëveshjes me klubin e tij të ri.
Lyon deklaron mbrëmë zyrtarisht se Shaqiri është duke negociuar me amerikanët dhe tashmë është jashtë skuadrës për ndeshjen e së shtunës kundër Monacos.
Chicago Fire ka të njëjtin pronar si FC Lugano: miliarderin amerikan Joe Mansueto. Sipas informacioneve të ‘Blick’, klubi i tij tani po paguan një tarifë transferimi prej rreth shtatë milionë euro në Olympique Lyon.
Një marrëveshje e mirë për francezët duke marrë parasysh moshën e Shaqirit dhe vlerën në treg.
Sipas “L’Équipe”, Shaqiri fitonte 350 mijë euro në muaj te Lyoni. Një rrogë që ai nuk mund ta justifikonte me dy gola dhe tre asistime.
Sipas informacioneve të ‘Blick’, Shaqirit vështirë se do t’i shkurtohet paga në Amerikë. Ai gjithashtu do të marrë mbi katër milionë euro (4.6 milionë dollarë ose 4.25 milionë CHF). Bastian Schweinsteiger, i cili luajti për Chicagon, mori 5.12 milionë dollarë në atë kohë.
Është interesant fakti se sindikata e lojtarëve bën të ditur pagat në secilin rast. Kështu që së shpejti do ta dimë zyrtarisht se çfarë meriton Shaqiri. Paga mesatare në MLS është 400,000 dollarë.