Spanja ka nisur përgatitjet për sfidën e radhës, në fazën çerekfinale përballë Gjermanisë, në atë që konsiderohet finalja e parakohshme.
Pak ditë përpara kësaj sfide dhe pak pas suksesit ndaj Gjeorgjisë, nga grumbullimi ka folur Mikel Oyarzabal, i cili ka theksuar se e gjithë skuadra ka shumë besim dhe se janë gati për t’u përballur me çdo kundërshtar.
“Tri javë më parë askush nuk mendonte se ishim favorit për Kampionatin Europian, por tani të gjithë thonë se ne jemi në krye të listës. Ne qëndruam të qetë si në fazën e grupeve, po ashtu edhe ndaj Gjeorgjisë, me shumë besim te vetja dhe duke ditur se mund të sfidojmë këdo.
Ne nuk po pushojmë, kemi nisur përgatitjet dhe po mundohemi të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u përballur me Gjermaninë” – tha fillimisht lojtari i Real Sociedad.
Më pas, Oyarzabal foli pikërisht për Gjermaninë, një kundërshtar të cilin ai vlerëson në maksimum, por tregon që nuk e kanë frikë.
“Gjermania është një ekip i madh edhe me nivel individual të lartë, kanë lojtarë që bëjnë diferencën, të cilët kanë pasur një sezon të shkëlqyer, por ne kemi shumë besim. I respektojmë, por nuk i kemi frikë. Kemi lojtarët më të mirë dhe jemi të gjithë të bashkuar, nuk ka ndarje brenda ekipit, të gjithë ndihemi të rëndësishëm” – përfundoi Oyarzabal.
Spanjë-Gjermani do të luhet më 5 korrik në Stuttgart, duke nisur prej orës 18:00.
Burimi: botasot.info