Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “ideja hegjemoniste” e Serbisë për vendosjen e trupave ushtarake të saj në Kosovë ka marrë fund më 12 qershor të vitit 1999, ditën kur në Kosovë hynë trupat paqeruajtëse të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).
Ajo këtë e ka thënë në kuadër të adresimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës duke folur për situatën aktuale të sigurisë dhe sundimit të ligjit në vend.
Presidentja Osmani tha se veriu i Kosovës është sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, e të cilat, sipas saj, i shpreh nëpërmjet financimit dhe përkrahjes së strukturave ilegale kriminale.
Ajo tha se bandat kriminale në veri nuk do të mund të mbisundojnë dëshirën e qytetarëve kosovarë për të jetuar në veri në atdheun e tyre, në Kosovë, përfshirë edhe serbët.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim me përmasa agresioni së fundmi është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste të vendosjes së trupave ushtarake të Serbisë në Kosovë. Por, Serbia dhe udhëheqësi i saj, Vuçiq, e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor në vitin 1999. Në vitin 1999 kur trupat e NATO-s, thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë, ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre”, theksoi Osmani.
– “Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar, njëherë e përgjithmonë”
Osmani tha se institucionet e Kosovës nuk do të heqin dorë nga sundimi i ligjit në çdo pjesë të territorit të Kosovës, sado që një gjë e tillë “nuk u pëlqen bandave në veri të vendit”.
Duke folur për politikën e jashtme të vendit, Osmani tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë politikë të jashtme më aktive, më kuptimplote, më të përgatitur dhe më të koordinuar.
Ajo tha se kjo politikë e jashtme është e fokusuar vetëm në interesin e Kosovës, derisa shtoi se kjo po u pengon disave, në Serbi dhe jashtë saj.
“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar, njëherë e përgjithmonë. Sfidat e politikës së jashtme natyrisht që janë të panumërta sepse gabimet kanë qenë të përmasave të mëdha. Tani ne duhet t’i riparojmë këto dëme, hap pas hapi, me durim dhe me vizion të qartë”, theksoi Osmani.
Osmani tha se vetëm gjatë vitit 2022 në kuadër të punës së saj ka takuar 44 krerë të shteteve, shumë prej tyre disa herë, nga të gjitha kontinentet dhe 46 kryeministra, por po ashtu edhe kryetarë parlamentesh e udhëheqës institucionesh.
– Deputetët e PDK-së dhe AAK nuk morën pjesë në seancë
Partia politike më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka bojkotuar fjalën vjetore të presidentes Osmani, duke thënë për këtë fjalim se “është një tjetër spektakël i pushtetit, që përmes rregullave formale të raportimit para Kuvendit, të mbulojë dështimin e mospunës së Presidentes”.
Gjithashtu në këtë seancë nuk morën pjesë edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).