Osmani- Reinsalu: Estonia është mbështetës i fuqishëm i reformave eurointegruese të vendit

min lexim

Shkup, 10 nëntor – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot vazhdoi me vizitën rajonale në Shtetet baltike, gjatë së cilës, në Talin realizoi takim me nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë, Urmas Reinsalu.

 

Në takim të dy ministrat e përshëndetën intensifikimin e dialogut politik në periudhën e fundit, i cili e pasqyron vendosmërinë e dyanshme për marrëdhënie të ngushta dhe thellim të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët. Vizita ndodh në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme të ndryshimeve gjeopolitike, të cilat kanë implikime të rëndësishme në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian.

Ministri Osmani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e fuqishme dhe të pahamendshme të Republikës së Estonisë, e cila në kontinuitet e ndihmon procesin e reformave evropiane në shoqërinë tonë, por edhe e vokalizon mbështetjen në kuadër të institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Mbështetja nga Estonia në kuadër të ‘Grupit të miqve të zgjerimit’ së bashku me Shtetet e tjera baltike është në favor të ruajtjes së perspektivës evropiane dhe avancimit të proceseve evropiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe vendin tonë”, tha Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani informoi për procesin aktual të skriningut, si një fazë veçanërisht e rëndësishme në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për aktivitetet vijuese.

“Veçanërisht e rëndësishme për proceset reformuese në Maqedoninë e Veriut është mbështetja e Estonisë për digjitalizimin e institucioneve në Maqedoninë e Veriut dhe shfrytëzimi i ekspertizës estoneze në këtë drejtim. Presim që përvoja e Estonisë, e cila është pioniere e digjitalizimit në Evropë, të na ndihmojë dukshëm në përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve në vendin tonë”, tha Osmani.

Ministri Reinsalu nënvizoi qëndrimin afirmativ të Talinit zyrtar për mbështetjen e vazhdueshme të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut, jo vetëm përmes mbështetjes bilaterale zhvillimore, por edhe përmes promovimit të nevojës për progres të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e saj me familjen evropiane. Estonia e vlerëson lartë praninë e Maqedonisë së Veriut në nivel ambasade në Talin, gjë që i konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve. Reinsalu iu referua situatës në Estoni dhe rreziqeve të sigurisë në fqinjësinë e afërt, të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës, duke e rikonfirmuar kështu dhe nevojën për solidaritet të unifikuar për mbështetje ndaj integritetit territorial dhe paqes në Ukrainë.

Të dy ministrat u dakorduan se janë të nevojshme vendime gjeostrategjike në kohë të rreziqeve serioze gjeopolitike, vis-à-vis luftës në Ukrainë, si dhe unitetit dhe solidaritetit midis të gjithë aktorëve për ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në kontinentin evropian. Konkluduan se aleanca dhe uniteti në NATO në drejtim të parandalimit dhe forcimit të krahut lindor është me rëndësi parësore për pozitën mbrojtëse të Aleancës në këtë periudhë.

Zhvillimi i situatës në Ballkanin Perëndimor, nevoja urgjente për dialog dhe respekt të ndërsjellë të palëve të interesuara për të gjetur zgjidhje të pranueshme, për mbylljen e çështjeve të hapura, ishin pjesë e diskutimit. Ministri Osmani informoi edhe për kryesimin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, duke shpresuar për bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje nga Estonia mike.

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

​U.d. kryeprokurori i Shtetit vizitoi Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ofroi mbështetje për vazhdimin e punës

Story i radhës

Lojtari afrikan pa Botëror, tërbohet agjenti

Të fundit nga