Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani realizoi bisedë telefonike me Gabriel Escobar, zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme njoftojnë se në fokus të bisedës ishin temat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, si dhe nevojën për tejkalimin sa më të shpejtë të dallimeve mes dy vendeve, e me të heqjen e pengesës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
“Në kontekstin e sfidave aktuale të sigurisë, procesi i zgjerimit të BE-së është një politikë sigurie dhe për këtë arsye arritja e progresit në proceset eurointegruese të Maqedonisë së Veriut është investimi më i sigurt për stabilitetin në vend dhe rajon”, theksoi Osmani.
Sipas MPJ-së, Osmani ka theksuar nevojën e një pranie të përforcuar amerikane në rajonin tonë si garanci e fortë për sigurinë rajonale dhe evropiane.
“Bashkëbiseduesit i përshëndetën marrëdhëniet bilaterale dhe partneritetin tradicional ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së dhe diskutuan për mundësitë për avancimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJ.