Osmani nga Roma: Nevojiten vendime më të guximshme nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mori pjesë në takimin ministror për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Romë, me ftesë të zv/kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të dërguar nga MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut, në fjalimin e tij në seancën e parë të takimit ministror, ​​me titull “Procesi i integrimit evropian i Ballkanin Perëndimor: Rruga përpara”, Osmani iu referua domosdoshmërisë së vendosjes së një rruge të qartë për zgjerimet e ardhshme me vendet e rajonit, duke theksuar se ky është një interes thelbësor i sigurisë për Bashkimin Evropian.

Njëherësh, Osmani nënvizoi se përskaj qëllimit përfundimtar për anëtarësim të plotë, nevojiten masa shtesë për përmirësimin e zhvillimit demokratik, për rritjen e mundësive ekonomike dhe inkurajimin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

“Rrethanat e ndryshuara gjeostrategjike kërkojnë ndryshim dhe përshtatje të qasjes. Ndonëse është e vërtetë se kohët e fundit ka pasur theks të shtuar mbi rëndësinë e zgjerimit, gjë për të cilën jemi mirënjohës, të gjithë jemi të pajtimit se kjo nuk është e mjaftueshme. 20 vjet pas Samitit në Selanik, BE-së urgjentisht i nevojitet vizion afatmesëm për rajonin tonë në kuadër të Unionit”, theksoi Osmani.

Në sesionin e dytë “BE-Ballkani Perëndimor: Forcimi i bashkëpunimit tonë”, Osmani e theksoi nevojën për zvogëlimin e hendekut ndërmjet vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së në aspektin ekonomik.

“I vlerësojmë përpjekjet e fundit të Italisë që të rrisë vetëdijen për sfidat dhe nevojat socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përpjekjet e Komisionit Evropian në kuadër të Planit Ekonomik të Investimeve dhe Paketës së BE-së për mbështetje në fushën e energjetikës për Ballkanin Perëndimor. Ajo që na nevojitet në të ardhmen e afërt janë vendime më të guximshme ndaj rajonit për shkak të interesit të ndërsjellë. Një rajon i mbetur në rënie ekonomike dhe status-quo rrezikon të bëhet pjesë e ndjeshme për vetë Unionin në këto kohëra të pasigurta të arkitekturës së rrënuar të sigurisë së Kontinentit Evropian”, tha Osmani.

Takimin ministror për Ballkanin Perëndimor e hapi zv.kryeministri dhe kryediplomati i Italisë, Antonio Tajani, ndërsa përveç ministrit Osmani, fjalim mbajtën edhe Kryeministri dhe Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Kosovës, Bosnje e Hercegovinës, Serbisë, si dhe ai i Suedisë, në cilësinë e kryesuesit të BE-së.





Story i mëparshëm

Bjellorusi, inspektohet gatishmëria luftarake e ushtrisë

Story i radhës

Kush është i ‘forti i Durrësit’ që i vendosën eksploziv në makinë. Policia jep detaje

Të fundit nga