Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, më 19 nëntor 2022, mori pjesë në Samitin e 18-të të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Frankofonisë, i cili po mbahet në ishullin Xherba të Tunizisë, me temë: Lidhja në diversitet: digjitalizimi si vektor i zhvillimit dhe solidaritetit në zonën frankofone.
“Teknologjitë vazhdojnë të evoluojnë me shpejtësi dhe mundësojnë kombinime inovative që nxisin transformimin digjital në drejtime të reja dhe shpesh të paparashikuara. Transformimi digjital ndikon në të gjitha aspektet e jetës, ekonomisë dhe shoqërisë. Krijimi i politikave në këtë fushë duhet të marrë parasysh disa skenarë të mundshëm në të ardhmen, duke përfshirë pasiguritë themelore që vijnë me to, për të siguruar që politikat e zbatuara sot të mbeten elastike ndaj ndryshimeve që do të ndodhin në të ardhmen, si dhe ndaj sfidave të paparashikuara si krizat shëndetësore, etj. Autoritetet publike dhe palët e tjera të interesuara duhet të punojnë së bashku për të hartuar një të ardhme të përbashkët digjitale për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të stimuluar rritjen ekonomike në vendet frëngjishtfolëse dhe më gjerë, pavarësisht nga niveli i tyre i zhvillimit, duke siguruar që askush të mos mbetet mbrapa”, tha Osmani duke theksuar se Strategjinë nacionale për teknologji të informacionit dhe komunikimit për periudhën 2021 – 2025 të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila fokusohet në fushat prioritare në sektorin e IT dhe përgatitjen e vendit për një të ardhme digjitale të gjithanshme dhe të shkathët.Samiti i Frankofonisë po mbahet për herë të parë në një vend arab të Afrikës së Veriut, ku morën pjesë krerët e shteteve dhe qeverive të 88 vendeve nga 5 kontinente.
Ministri Osmani, në kuadër të Samitit, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale, si dhe takime të shumta joformale me zyrtarë të lartë, me të cilët është biseduar për të ardhmen e Frankofonisë dhe zhvillimet aktuale në botë.