Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook ka informuar se familja Spirkovski, nga qyteti i Kharkovit të Ukrainës, e cila ishte në gjendjen më të rëndë, me një të porsalindur vetëm disa ditësh, aktualisht është pjesë e një korridori të posaçëm sigurie, më se 100 km larg qytetit dhe është rrugës për t’u larguar nga Ukraina.
“Janë të sigurt dhe në gjendje të mirë. Pres që gjatë ditës të largohen nga Ukraina dhe më pas me ndihmën e rrjetit tonë diplomatik, nga fqinjët e Ukrainës, të bëhet transporti i tyre për në Shkup. Ky është rasti më i komplikuar i procesit të evakuimit. Vazhdojmë edhe më tej, në bashkëpunim me partnerët dhe aleatët tanë të punojmë në gjetjen e korridoreve të reja të sigurisë për evakuimin e qytetarëve tanë nga Ukraina. Më lejoni t’ju informoj se në Kharkov, qytetin më të prekur nga veprimet ushtarake, për momentin nuk kemi më qytetarë të paraqitur,” ka shkruar Osmani.