Osmani në Pejë kërkon përkrahjen e projekteve për zhvillimin e turizmit

Në kuadër të ciklit të vizitave nëpër komunat e Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kësaj radhe ka qenë mysafire në komunën e Pejës.

Pas takimit me të parin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, e para e shtetit shprehu përkushtimin për eliminimin e sfidave me te cilat ballafaqohet Peja.

Osmani: Diskutuam për fushën e arsimit dhe të shëndetësisë

“Diskutuam për fushën e arsimit dhe të shëndetësisë në radhë të parë për sfidat me të cilat ballafaqohet komuna e Pejës dhe si mund të ndihmojmë që të eliminohen këto sfida. Peja është një prej komunave me potencialin më të madh për zhvillim ekonomik sa i përket turizmit. Disa projekte që kanë ngecur duhet të përkrahen për t’u shtyrë për shkak se krijojnë vende të reja të punës, por edhe e shndërrojnë Pejën në atraksion përtej Kosovës”, tha ajo.

Lidhur me projektin e tunelit Rozhajë-Kosovë, e para e shtetit tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të gjejë mundësi për lidhjen me Kosovës dhe Malit të Zi.

Osmani: Lidhja ndërmjet Pejës e Rozhajës, në interesin ekonomik të dy vendeve

“Unë e kam biseduar këtë temë së fundmi edhe me kryeministrinë e Malit të Zi duke potencuar urgjencën e lidhjes sa më të shpejtë ndërmjet Pejës dhe Rozhajës, sepse kjo është në interesin ekonomik të të dyja vendeve. Sa më i mundshëm të jetë ndërlidhja ndërmjet dy shteteve tona, sa më shkurt dhe më e lehtë të bëhet rruga, aq më i madh do të jetë shkëmbimi ekonomik dhe tregtar dhe lidhjet mes njerëzve… Kam biseduar edhe me Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti. Ka përkushtim nga ana e Kosovës që pavarësisht kostos që siç e dini do të jetë e lartë, sa më parë të gjendet mundësia që të investohet sa më parë të krijohet lidhje në mes të Kosovës dhe Malit të Zi”, tha Osmani.

Ndërsa, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se kostoja e Kosovës për lidhjen Rozhajë-Pejë është më pak e kushtueshme.

Muhaxheri: Ndërtimi i kësaj traseje nuk është i shtrenjtë

“Mali i Zi ka qasje në fondet e BE-së. Mund ta realizojë shumë lehtë, ndërsa neve si Republikë e Kosovës na mbetet transiti dhe pjesa deri mbi Radavac si zgjerim i rrugës ose të bëhet komplet rrugë e re. Sa i përket Kosovës çështja e ndërtimit të kësaj traseje nuk është i shtrenjtë, por është e shtrenjtë pjesa që i takon Malit të Zi”, theksoi ai.

Në kuadër të kësaj vizite shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani do të vizitojë ekspozitën e përgatitur nga fëmijët me nevoja të veçanta, po ashtu do të zhvillojë takim me OJQ-të nga komunitetet jo-shumicë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

‘Policët bënin humor’, trondit babai i 20 vjeçares – zbulon detaje të reja

Story i radhës

Dita ndërkombëtare e fëmijëve,kopshti ‘Fidani’ me shfaqe të mrekullueshme (FOTO)

Të fundit nga