Pjesëmarrësit në Forumin e Prespës në Ohër kanë bërë thirrje për integrimin sa më parë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse në rajon. Në debatin e organizuar me temë “Çka pas luftës në Ukrainë”, liderët e vendeve pjesëmarrëse u shprehën pro dhënies së statusit të shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por edhe Bosnjës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe njohjen e ndërsjellët të Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjollca Osmani tha se shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në fjalimin e saj, Osmani ka bërë thirrje edhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, si alternativë e vetme për paqen, stabilitetin dhe luftimin e ndikimetve ruse dhe kineze në rajon.
“Kosova tani prej pesë vitesh po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit për BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj i bëjë thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsyeje që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, ka deklaruar Osmani në tribunën me temë: “Çka pas konfliktit në Ukrainë?”.
Osmani ka mbështetur dhënien e statusit të shtetit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, por se një status të tillë, tha Osmani duhet t’i jepet edhe Bosnjës por edhe Kosovës, e cila planifikon të aplikojë.
“Sa më shumë vakum të lërë BE-ja në Ballkanin Perëndimor, aq më të këqija do të jenë ndikimet ruse dhe kineze në rajon. Çështja është shumë e thjeshtë, nëse dëshironi të luftoni kundër ndikimeve ruse dhe kineze në rajon, njiheni Kosovën, njiheni pavarësinë e Kosovës, lejoni liberalizmin e vizave. Mbështetni statusin e shtetit kandidat të Kosovës dhe Bosnjës. A dëshironi të luftoni me ndikimet ruse? Atëherë mbështetni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Duke përsëritur deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentja Osmani tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Njohja e ndërsjellët, siç e dimë të gjithë është zgjidhja e vetme e cila do të sjell stabilitet dhe paqe afatgjate në rajon”, ka deklaruar Osmani.
Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq në fjalimin e tij ka theksuar nevojën e njohjes së ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë. Milanoviq tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe BE-së të vazhdojë me procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor për të stabilizuar këtë pjesë të Evropës për shkak të luftës në Ukrainë.
“Shtetet e krahut lindor janë të ekspozuara ndaj ndikimit qëllimkeq të propagandës ruse, si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja. Këtu do të përmend edhe dy shtete të tjera, Kosovën dhe Serbinë, të cilat nuk e njohin njëra tjetrën, por janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të njihen reciprokisht përndryshe nuk do të ketë lëvizje përpara.. Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Serbinë dhe duke përmendur kushtet tha se Serbia duhet të njohë Kosovën që të lehtësojë jetën në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Vuçiq reagoi duke thënë se ky nuk ishte deri tani kusht. Ju them se kjo nuk do të kalojë lehtë, nuk është inkurajuese, por siguria nënkupton njohje të ndërsjellët andaj edhe këtu duhet të përqendrohemi dhe të përçojmë mesazhin deri te Serbia se duhet të bëjë zgjedhjen, se ky problem duhet të zgjidhet”, ka deklaruar Presidenti I Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor tha se vendi i tij nuk është kundër që t’i jepet statusi i shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por një status të tillë, sipas tij, duhet ti jepet edhe Bosnjës ndërsa procesi të vazhdojnë edhe me vendet tjera, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë, të vilat nuk e njohin njëra tjetrën.
“Kur do të vendoset për Ukrainën dhe ndoshta edhe Moldavinë, do të doja që liderët evropian të flasin edhe për Bosnjën. Ndoshta ky vend nuk i ka përmbushur 14 kriteret, por duhet ti përçoni mesazhin, se ju jeni të ngadalshëm në këtë proces por nuk do ta shtyjmë dhënien e statusit të shtetit kandidat. Është çështje gjeostrategjike dhe ne duam të jemi me ju dhe duam të bëjmë diçka me ju, por edhe ju të qëndroni me ne. Ky do të ishte një sinjal i fuqishëm jo vetëm për Bosnjën por edhe vendet tjera se Brukseli po bënë diçka për rajonin”, ka deklaruar Presidenti I Sllovenisë, Borut Pahor.
Pjesëmarrësve të forumit përmes një video incizimi iu drejtua edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Anëtarësimi i plotë i Ukrainës, si dhe integrimi i plotë evropian i vendeve tuaja, është një fuqizim historik i Evropës dhe një çmontim i plotë i aftësisë së Rusisë për të na mundur neve individualisht. Ne kemi nevojë për një përgjigje pozitive për perspektivën tonë dhe tuajën evropiane dhe jam mirënjohës që po punojmë së bashku për këtë qëllim”, tha Presidenti ukrainas Zelensky.