Institucionet e vendit kanë vërejtur ndikimin rus në jetën partiako-politike, përmes burimeve të financimit, pohon shefi i diplomacisë. Duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje për gazetarët, Osmani vetëm tha se është punë e shërbimeve të sigurisë që po punojnë për rasti.
“Në kuadër të këtij informacioni të nxjerrë nga Departamenti i Shtetit, ne nuk kemi informacion shtesë për atë që po ndodh në vendin tonë, por nga analizat tona, nga institucionet tona, ka të tilla dhe që janë komunikuar dhe konstatuar në disa raste se ka pasur përpjekje për ndërhyrje të tilla në jetën politike partiake në Maqedoninë e Veriut”, tha Bujar Osmani, ministër i MPJ.
Mirëpo, në të njëjtën konferencë me gazetarët – pak minuta më vonë, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për njoftimin e partisë E Majta se do të paraqesin nismë të re për referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë – Osmani shprehu qëndrimin e tij personal dhe tha se E Majta po përhap propagandë ruse të financuar me një qëllim të vetëm – kundër popullit maqedonas.
“Unë kam mendimin tim për të Majtën, ato nuk janë parti maqedonase, por parti në funksion të propagandës ruse për ta kthyer popullin maqedonas kundër BE-së dhe SHBA-së. Nuk duhet të biem nën atë propagandë e cila pjesërisht stimulohet dhe financohet dhe ka qëllime shumë të këqija e të liga ndaj popullit tonë dhe qytetarëve të tjerë”, tha Osmani.
Dy ditë më parë mediat amerikane raportuan se Rusia ka shpenzuar fshehurazi më shumë se 300 milionë dollarë nga viti 2014 e deri më tani, në përpjekje për të ndikuar tek politikanët dhe se sipas informacioneve të fundit ka pasur ndikim në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mali i Zi. Osmani tha sot se nuk kanë marrë informacion shtesë nga Uashingtoni se e njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë.