Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, në Berlin, realizoi takim me Ministren Federale të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock. Në takim, të dy homologët shprehën kënaqësi për nivelin e lartë të dialogut politik dhe partneritetit që Maqedonia e Veriut dhe Gjermania i kanë krijuar gjatë këtyre 30 viteve marrëdhënie diplomatike, transmeton Portalb.mk.
Bashkëpunimin dhe partneritetin mes dy vendeve i karakterizon mbështetja dhe bashkëpunimi tre dekadësh midis dy shteteve dhe popujve tanë.
“Jashtëzakonisht e vlerësojmë faktin që Gjermania është partneri ynë më i rëndësishëm në kuptimin politik dhe ekonomik, e veçanërisht kur bëhet fjalë për integrimin tonë politik në organizatat evropiane dhe euroatlantike. Maqedonia e Veriut mbetet partner kredibil në rajon si në aspekt të pranisë së NATO-s në Ballkan, si vend anëtarë edhe ashtu edhe në aspekt të mbrojtësit dhe promovuesit të kredibilietit evropian në rajon”, theksoi Osmani.
Ministri Osmani shprehu mirënjohje për interesimin e madh të Gjermanisë dhe Kancelarit, Scholz që ta revitalizojë e Procesit të Berlinit, si një mjet i rëndësishëm që i mbështet proceset euro integruese të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të anëtarësimit sa më të shpejtë të tyre në Union, por edhe për adersimin e përbashkët të sfidave aktuale me të cilat përballet kontinenti evropian.
Ministrja Baerbcok konfirmoi se mbështetja e Gjermanisë për dosjen evropiane të Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një ritëm të pandërprerë, duke shprehur kënaqësi për hapin historik, të cilin e ka arritur Maqedonia e Veriut me fillimin e negociatave për anëtarësim këtë vit.
Çështjet e sigurisë, invazioni rus ndaj Ukrainës dhe pasojat me të cilat vendet evropiane ballafaqohen, gjithashtu ishin temë e bisedimeve ndërmjet dy ministrave, të cilët e theksuan rëndësinë e NATO-s për ruajtjen e sigurisë evropiane dhe botërore. Në këtë kontekst, Ministrja Baerbock shprehu mirënjohje, duke theksuar rolin e Maqedonisë së Veriut si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian në përgjigje të krizës dhe respektimit 100% të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Në takim u diskutua edhe për kryesimin e ardhshëm të vendit tonë me OSBE-në në vitin 2023 dhe mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm në këtë kontekst.
Ndryshe, Gjermania ka qenë ndër shtetet mbështetëse të Maqedonisë së Veriut për antarësim në BE, veçanërisht gjatë kryesimit të saj me Unionin, atëkohë ushëhequr nga ish-kancelarja Angela Merkel.
Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.
Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.
Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.
Burimi: portalb.mk