Në fjalimin e saj vjetor, presidentja e vendit Vjosa Osmani, tha se nuk kemi gra e vajza për të humbur. Ajo tha se nga viti 2010 në Kosovë janë vrarë 50 gra nga burrat. Gjithashtu hodhi kritika ndaj sistemit të drejtësisë, duke thënë se “një qasje e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave, inkurajon më shumë dhunë”.
Presidentja Osmani në fjalimin e saj tha se në pesë vitet e fundit u raportuan 14 mijë raste të dhunës në familje, ku prej tyre shumica dërrmuese e viktimave ishin gra dhe vajza.
“Me pandeminë Covid-19, mori hov edhe një pandemi nën hije. Pandemia e dhunës ndaj grave, ky fenomen tashmë duhet të shihet nga prizmi i një emergjence kombëtare dhe si i tillë përbën një prej plagëve më serioze të ditëve tona. Vetëm në 5 vitet e fundit në Kosovën tonë u shënuan mbi 14 mijë raste të dhunës në familje. Nga të cilat në shumicën dërrmuese viktimat ishin gra dhe vajza. Sipas të dhënave nga organizatat për mbrojtjen e grave, nga viti 2010, 50 gra u vranë nga burrat. 50 gra nuk janë më me ne vetëm pse ato ishin gra”, tha Osmani.
Osmani shtoi se ka shumë dhunë pa u raportuar.
“Përballë dhunës nuk duhet të jemi të heshtur”, u shpreh ajo.
Presidentja foli edhe për rastet e dhunimeve seksuale, ku theksoi se në vetëm 5% të lëndëve dënimi ishte në përputhje me ligjin.
“Një qasje e tillë e sistemit të drejtësisë inkurajon vrasjen e grave, inkurajon më shumë dhunë”, u shpreh ajo.