86
Shkup, 9 dhjetor – Anëtari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Osman Kadriu, ka deklaruar se gjykatësit shqiptarë do të bojkotojnë seancën e 11 dhjetorit, ku do të shqyrtohet Ligji për përdorimin e gjuhëve.
Kadriu ka theksuar se në këtë seancë mund të vendoset vetëm për hapjen e procedurës, por nuk mund të merret vendimi final për abrogimin e ligjit apo dispozitave të tij. Sipas tij të mërkurën nuk do të ndodh asgjë.
“Ta informojmë opinionin se nuk ka gjasa kushtetuese që kjo gjykatë ta abrogon ligjin në tërësi,” tha Kadriu.
Ai theksoi se gjuha shqipe është një gjuhë zyrtare dhe një kategori kushtetuese që garanton të drejtat kolektive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Kadriu gjithashtu përmendi situatat e mëparshme ku gjyqtarët shqiptarë janë mbivotuar për ligje si e drejta e përcaktimit të etnitetit dhe e drejta e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ai tha:
“Duke pasur parasysh këto praktika, ne gjyqtarët shqiptarë kemi marrë vendim rigoroz që më 11 dhjetor të bojkotojmë seancën e gjykatës kushtetuese. Prandaj, ashtu siç tha Mexhiti, për ligjet që Kuvendi i sjell me shumicë të dyfishtë, duhet vetëm një dispozitë të futet në Kushtetutë, që për ato ligje edhe në gjykatën kushtetuese të zbatohet parimi i Badenterit.”
Kadriu nënvizoi se pa përfshirjen e këtij mekanizmi juridik, çështjet që lidhen me të drejtat kolektive të shqiptarëve rrezikojnë të mbivotohet përsëri në të ardhmen.
BURIMI: zhurnal.mk