Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka vizituar Rektoratin e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, të cilin e ka përgëzuar për avancimin korrekt të profesorëve. Pas takimit me rektorin e këtij universiteti, u tha se Gjakova, për herë të parë në historinë e arsimit të lartë, ka vendosur që t’i ulë titullin akademik një profesori.
Drejtori i kësaj organizate, Rron Gjinovci theksoi se Universiteti i Gjakovës ka pasur një proces të avancimit të profesorëve në përputhje me rekomandimet e ORCA-s.
Gjinovci: Ne kemi ardh në Gjakovë që të përgëzojmë Universitetin e Gjakovës
“Kjo është ngjarje e rrallë ku ORCA gjatë këtij viti është hera e parë që ka dalë me aktivitet të përgëzimit publik. Ne kemi ardh në Gjakovë që të përgëzojmë Universitetin e Gjakovës për një proces të avancimeve korrekt. Kërkesa ka qenë e tyre për monitorim, ne i kemi shqyrtuar krejt dokumentacionet e personave që janë avancuar, para se ata të dalin në mbledhjen e senatit. Ne i kemi dërguar rekomandimet tona, kemi thënë që këta i plotësojnë apo nuk plotësojnë kriteret. Dhe, neve na ka befasuar që senati i Universitetit të Gjakovës çdo vendim që e ka marrë për avancimin e profesorëve, e ka marrë në përputhje me rekomandimet tona. Që do të thotë se e ka respektuar mirëfilli kriterin e punimeve shkencore dhe kritereve tjera që merren parasysh për avancimin e stafit akademik”, tha ai.
Për më tepër, Gjinovci shtoi se Gjakova e ka hedhur hapin e parë me vendimin e uljes së titullit akademik të një profesori.
Gjinovci: Gjakova e ka hedhur hapin e parë me vendimin e uljes së titullit akademik të një profesori
“Universiteti i Gjakovës, ndoshta kjo ndodhë për herë të parë në historinë e re të arsimit të lartë në Gjakovë, ka vendosur që një profesori të caktuar t’ia ul titullin akademik, për shkak se kur e ka marrë aktual akademik nuk i ka plotesuar kriteret sipas rregullave që kanë qenë në fuqi. E kjo pak a shumë përbën ata që ne e konsiderojmë vetting, që të këqyret. Ne insistojmë që në tërë Kosovën të shikohet a janë titujt në përputhje me rregullat, kur janë marrë ata”, ka shtuar Gjinovci.
E rektori i Universitetit të Gjakovës, Artan Nimani tha se ORCA u ka ofruar mbështetje në procesin e vetëvlerësimit në universitet për sigurimin e cilësisë.
Nimani: ORCA na ka mbështetur në procesin e vetëvlerësimit në univeristet
“ORCA ka projektuar, ka financuar ekspertë të caktuar të cilët kanë dalë me një raport, të cilin ne e marrim sot për bazë krahas raportit të KShC-së. Sepse ideja jonë është që të bëjmë një vetëkorrigjim dhe jo të presim që të kemi korrigjime sipas presionit. Dhe për herë të parë po duam të krijojmë një logjik, që ndryshimi të fillojë nga brenda, e jo ndryshimi të fillojë nga presioni jashtë. Sepse presioni nga jashtë zakonisht ndryshimet i bën më të vrazhda dhe jo në përputhje me aktet të cilat janë të caktuara. Ne kemi pasur një proces të avancim të stafit akademik dhe ne jemi një institucion të cilët kemi çdo gjë publike”, ka thënë ai pas takimit.
Ai theksoi se do të fillojë hapi i dytë me procesin e vetëvlerësimit që të dihet se a plotësohen kriteret me rregullat në fuqi.
Universiteti i Gjakovës këtë vit ka pranuar 420 studentë, për çka rektori Nimani tha se ka pasur konkurrencë të madhe.