Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë rritur distancimin e bllokut nga një vizitë befasuese e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, në Rusi të premten.
Ai mbërriti në Moskë një javë pasi Budapesti e mori udhëheqjen gjashtëmujore të presidencës së BE-së dhe tri ditë pasi Orbani ia paraqiti Kievit një propozim për armëpushim.
Orbani dhe ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, mbërritën në Rusi të premten në mesditë, ku Orbani do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, sipas raportimeve, përfshirë sipas një burimi nga Qeveria hungareze, i cili i tregoi Radios Evropa e Lirë për planet e tij për vizitë.
Zëdhënësi i Orbanit e shpërndau një fotografi në rrjetet sociale, ku shihet Orbani në tepihun e kuq në Moskë. “Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska”, shkroi ai.
Szijjarto e postoi një fotografi të veten duke zbritur nga avionin i Forcës Ajrore hungareze dhe shkroi: “Mbërritëm në Moskë. Një hap tjetër për paqe!”
Zyrtarët e BE-së mund të mos pajtohen.
Një zyrtar i BE-së i tha REL-it se Orbani nuk e njoftoi Brukselin për asnjë vizitë të planifikuar në Moskë, ndërsa Zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha në një komunikatë të premten se “kryeministri Viktor Orban nuk ka marrë mandat nga Këshilli i BE-së për ta vizituar Moskën”.
Pak para se të udhëtonte për Moskë, Orban tha se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë.
Orbani është kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftë kundër pushtuesit rus, dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider evropian.
Ai tha se fakti se Hungaria mban kryesimin e BE-së tani, nuk i jep atij mandat të udhëheqë negociata në emër të bllokut.
“Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj asgjë”, tha Orban gjatë një interviste të rregullt mëngjesore në radio të premten.
“Krejt çka bëj unë është, shkoj nëpër vende ku ka luftë, apo kërcënim për luftë që kërcënon Bashkimin Evropian dhe Hungarinë, apo që ka pasoja të këqija për to, dhe bëj pyetje”, shtoi ai.
Një ditë para vizitës së Orbanit në Moskë, Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X se “udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”.
“Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha Michel.
Në fillim të kësaj jave, Orbani u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij ta shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.
Të premten, Orbani tha se i bëri Zelenskyt “tri prej katër pyetjeve të rëndësishëm” për të kuptuar se “sa larg është Kievi në gjendje të shkojë për paqen”.
Orbani e vizitoi Rusinë më 2022, por s’u takua me Putinin. Megjithatë, ata janë takuar në vende të tjera prej atëherë./REL
Burimi: botasot.info