Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të udhëtojë në Moskë më 3 shtator për të marrë pjesë në varrimin e ish-liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, tha zyra e tij.
Orban nuk pritet që të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë udhëtimit të tij në Moskë, raportuan mediat ruse duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Me sa dimë, ai do të fluturojë vetëm për t’i thënë lamtumirën e fundit Gorbachevit. Nuk ka pasur dëshira për takime”, i tha Peskov agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti.
Para luftës në Ukrainë, Orban kishte marrëdhënie të ngushta me Putinin dhe Hungaria është i vetmi vend evropian që ka rritur furnizimet e gazit nga Rusia që nga fillimi i konfliktit.
Putini nuk do të marrë pjesë në varrimin e Gorbachevit për shkak të agjendës së ngjeshur, tha Kremlini më 1 shtator.
Mikhail Gorbachev, vdiq në moshën 91-vjeçare.
Ai ishte i njohur për hapjen e Bashkimit Sovjetik dhe për afrimin e tij me Perëndimin./REL