Për nder të shënimit të 3 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të kufizuara, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë vendim që sot në orën e parë të mësimit të gjithë edukatorët/mësimdhënësit/arsimtarët/profesorët, e të gjitha institucioneve edukativo-arsimore, të shtjellojnë temën Aftësia e Kufizuar.
MAShTI i ka njoftuar edhe Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe institucionet arsimore për këtë orë mësimi, e cila ka për qëllim vetëdijësimin e nxënësve në shkollat e Kosovës për Aftësinë e Kufizuar dhe ndërgjegjësimin mbi të drejtat e tyre.
MAShTI gjithashtu bën të ditur se edukatorët/mësimdhënësit mund të përdorin udhëzuesin e hartuar nga grupi punues i Ministrisë së Arsimit, i cili është publikuar në ueb sajtin zyrtar të MAShTI.
Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës vitin 2022 e ka shpallur Vit të Aftësisë së Kufizuar.