Blloku kryesor opozitar i Tunizisë e quajti pjesëmarrjen e ulët të votuesve në zgjedhjet parlamentare të vendit “dështim të madh” për presidentin Kais Saied, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tunizianët hodhën votat të shtunën për të zgjedhur parlamentin e ri, kurse pjesëmarrja e votuesve arriti në vetëm 8,8 për qind pas bojkotit nga partitë e mëdha.
Zgjedhjet ishin hapi i fundit në një seri masash të jashtëzakonshme të marra nga presidenti tunizian Kais Saied duke filluar në korrik 2021 me rrëzimin e qeverisë, shpërndarjen e parlamentit dhe hartimin e një kushtetute të re.
Zgjedhjet e së shtunës u bojkotuan nga disa parti kryesore politike, duke përfshirë lëvizjen Ennahda, Partinë Zemra e Tunizisë dhe Partinë Lëvizja.
“Pjesëmarrja e votuesve tregon se njerëzit kanë humbur shpresat e tyre te Saied”, tha Ahmed Najib Chebbi, kreu i Frontit Kombëtar të Shpëtimit, në një konferencë shtypi në kryeqytetin Tunis.
Ai tha se mbi nëntë nga dhjetë votues me të drejtë vote refuzuan të merrnin pjesë në votime.
“Ky është një dështim i madh për Saied”, tha Chebbi.
“Kjo është një thirrje për Saied që të largohet. Nuk ka asnjë arsye që ai të qëndrojë në pushtet”, shtoi ai.
Nuk kishte asnjë koment nga presidenca tuniziane mbi deklaratat e Chebbi-t.
Fronti Kombëtar i Shpëtimit përbëhet nga pesë parti: Lëvizja Ennahda, Partia Zemra e Tunizisë, Koalicioni Dinjiteti, Partia Lëvizja dhe Partia Al-Amal.
Ndërsa Saied këmbëngul se masat e tij kishin për qëllim “shpëtimin” e vendit, kritikët e kanë akuzuar atë për orkestrimin e një grushti shteti.