Opozita maqedonase me referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë

min lexim

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sërish do të dalin në referendum, kësaj radhe për kontestin me Bullgarinë, i cili për opozitën maqedonase ende është i pazgjidhur, pavarësisht heqjes së vetos nga Sofja dhe nisjes së bisedimeve për anëtarësim evropian.

Pas mbajtjes së konferencës së parë politike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, më 19 korrik, në Bruksel, që pasoi miratimin e propozimit francez në Kuvendin maqedonas, VMRO DPMNE-ja paralajmëron referendum kundër ndryshimit të Kushtetutës, si dhe kundër protokollit me Sofjen.

Sipas kësaj partie, ky propozim rrënon gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike të maqedonasve.

“Në periudhën që pason, VMRO DPMNE-ja do të nisë konsultime me ekspertë dhe opinionin e gjerë për natyrën, karakterin dhe formulimin apo pyetjen që duhet të deklarohen qytetarët. Qëllimi përfundimtar i referendumit është që të kundërshtohet procesi i asimilimit dhe rrënimit të identitetit tonë”, ka deklaruar Gjorgjija Sajkoski, sekretar i përgjithshëm i VMRO DPMNE-së.

Për të mbajtur referendum duhet të mblidhen 150 mijë nënshkrime, që pas verifikimit dorëzohen në Kuvend, i cili më pas do të jetë i obliguar të organizojë referendumin.

Por, shumica parlamentare po kërkon mënyra për ta refuzuar një referendum të mundshëm, apo për ta bërë të pavlefshëm ose jo të obligueshëm për Qeverinë.

Ndryshimi i aktit më të lartë juridik për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë, është kusht për vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve apo hapjen e kapitujve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Trendafil Ivanovski, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë fazë referendumi është i mundur, por me rëndësi, sipas tij, është formulimi i pyetjes për atë që duhet të deklarohen qytetarët.

“Nëse organizohet referendum dhe nëse ai do të jetë i suksesshëm, varet nga forma e referendumit, por nëse mbahet dhe ka sukses, atëherë ai do të jetë obligueshëm”, thotë Trendafil Ivanovski, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Një referendum ishte mbajtur më 30 shtator 2018, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë për ndërrimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut, i organizuar nga Qeveria për të marrë mbështetje pas reagimeve të shumta në opinion. Por, referendumi kishte dështuar pasi thirrjes iu përgjigj vetëm 36 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Në rastin me Greqinë, partitë që tani janë në pushtet kishin arritur të sigurojnë dy të tretat, apo 80 vota nga 120 sa numëron Kuvendi. Në mesin e atyre që kishin votuar ndryshimet, ishin edhe tetë deputetë të VMRO DPMNE-së.

Analisti Vladimir Bozhinovski nuk beson se tani shumica, e cila nuk ka vota të mjaftueshme mund të llogarisë në votën e ndonjë deputeti të VMRO DPMNE-së.

“Nuk besoj pasi atëherë kishim një kontekst tjetër, që nuk është i njëjtë më situatën e tanishme. Atëherë kishim një shumicë parlamentare, e cila erdhi në pushtet si shpëtimtare, përmes protestave, vendosjes së një rendi të ri, të një shoqërie për të gjithë e kështu me radhë. Kishim një numër të deputetëve, të cilët ishin të frikësuar, apo kërcënoheshin në forma të ndryshme. Kishin deputetë që ishte nxjerrë nga burgu për të votuar ndryshimet e shumë gjëra tjera që çuan në ndryshimin e Kushtetutës për ndërrimin e emrit të shtetit për zgjidhjen e kontestit me Greqinë”.

“Tani kemi një situatë krejt tjetër. Duke marrë parasysh raportin mes forcave, fitoren bindëse të VMRO-së në zgjedhjet lokale, rejtingun e saj të lartë dhe fitoren e mundshme në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, nuk besoj se do të kishte qoftë edhe një deputet të VMRO-së që do të rrezikonte karrierën e tij për të votuar ndryshimet kushtetuese, por edhe për shkak të bindjeve të tyre të deklaruara se marrëveshja është e dëmshme”, thotë Bozhinovski.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se VMRO DPMNE-ja, sipas tij, më shumë është e interesuar të gjejë forma për të dalë nga situata e krijuar sesa të bllokonte ndryshimet kushtetuese.

“E ka thënë edhe më herët lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por se dëshiron të marrë garanci se kjo do të ishte kërkesa e fundit e palës bullgare. Unë nuk pres që VMRO DPMNE-ja të bllokojë procesin euro-integrues me bllokimin e ndryshimeve kushtetuese por këtë e shoh si një tentim për t’iu shmangur qëndrimit të saj të fuqishëm se asnjëherë nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese apo asnjëherë nuk do të miratojnë zbatimin e propozimit francez”, thotë Neziri për Radion Evropa e Lirë.

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur edhe nisma tjera për referendum, përveç atij që është mbajtur me Greqinë. Në referendum është mbajtur edhe për organizimin territorial, por ai ka dështuar sikurse edhe referendumi për Greqinë apo nisma tjera, që nuk kanë arritur të realizohen për arsye të ndryshme.

I vetmi referendum që është mbajtur që nga pavarësia e këtij shteti është ai për pavarësinë nga ish-shteti komunist jugosllav, më 8 shtator 1991./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Boris Johnson thuhet se po planifikon një udhëtim të tretë në Ukrainë përpara se të largohet nga detyra

Story i radhës

Pas fitores kundër Realit, flet Xavi

Të fundit nga