Opozita kërkon zgjedhje në Maj, pushteti i paralajmëron për 2024 – në politikë gjithçka është e mundur

January 2, 2023
min lexim

2 janar – Bllokadë aktive në Kuvend nga disa deputetë të opozitës ka shënuar vitin e kaluar 2022. VMRO-DPMNE-ja filloi bllokadën në muajin maj, ku siç paralajmëruan atëherë nga kjo parti, do të zgjasë deri në një marrëveshje për datë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Bllokada, sipas kësaj partie, nënkuptonte edhe “pengim të ligjeve dhe politikave të dëmshme”. Për pushtetin edhe krahas bojkotit dhe bllokadave, Kuvendi ka funksionuar.

Për zgjedhje të parakohshme parlamentare, stabilitet të shumicës parlamentare si dhe vlerësim të punës së Kuvendit vitin e kaluar, MIA ka kërkuar përgjigje nga partitë më të mëdha politike parlamentare – LSDM, VMRO-DPMNE, BDI, Aleanca për Shqiptarët, Alternativa, Lëvizja BESA, E Majta dhe PLD.

Pushteti dhe opozita, madje nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre. Sipas LSDM-së, zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë dhe ato do të mbahen në kohën e rregullt në vitin 2024, ndërsa VMRO-DPMNE-ja propozon që ato të mbahen në pranverë, në periudhën midis datës 14 deri 21 maj 2023.

Aktivitetet e shtuara në terren për LSDM-në nuk nënkuptojnë përgatitje për zgjedhje të parakohshme, por, siç theksojnë nga kjo parti për MIA-n, “cikli i kaluar i tribunave është vetëm vazhdimësi e aktiviteteve intensive të partisë me qëllim që qytetarët për së afërmi të njihen me politikat e LSDM-së, por edhe të dëgjojnë mendimet, idetë dhe propozimet e tyre”.

Fushata që nënkupton kontakt me qytetarët vetëm para zgjedhjeve, sipas kësaj partie, “është veçori e VMRO-DPMNE-së”.

“Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2024 dhe kjo çështje është e absolvuar. LSDM është parti e hapur, e afërt me qytetarët dhe përmes formave të ndryshme, takimeve me organizatat komunale, formatit më të gjerë të tribunave, ka dëshmuar se është parti e përgjegjshme dhe si e tillë është vazhdimisht me popullin”, theksojnë nga kjo parti.

Kryetari i LSDM-së dhe kryeministër Dimitar Kovaçevski thotë se zgjedhje parlamentare do të ketë së bashku me zgjedhjet presidenciale dhe nuk planifikohet rikonstruim i Qeverisë.

“Unë jam person që mban qëndrimet e tij dhe nuk i ndryshoj si politikanët e tjerë dhe zgjedhje do të ketë në vitin 2024, fillimisht zgjedhje presidenciale, pastaj zgjedhje parlamentare”, tha kryeministri i cili është i bindur se në vitin 2024 përsëri do të ketë Qeveri që poashtu do të udhëhiqet nga LSDM dhe partnerët e koalicionit të cilët janë për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit dhe anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Sipas partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, kaosi në qeveri, situatat në vend dhe anketat e opinionit publik tregojnë se zgjedhjet në pranverë janë një domosdoshmëri.

Nga VMRO-DPMNE thonë se për momentin gjendja aktuale politike në vend është e patolerueshme, si mes partive ashtu edhe brenda disa partive, pra në LSDM, BDI dhe Alternativa. Nga kjo parti paralajmëriojnë përdorimin e të gjitha mekanizmave për të arritur qëllimin dhe gjetjen e mënyrave për mbajtjen e zgjedhjeve.

Pasi nga kjo parti propozojnë zgjedhje të parakohshme në maj, sipas tyre, fushata zgjedhore do të fillonte më 25 prill. Qëllimi i këtyre zgjedhjeve, siç informojnë, është rivendosja e sistemit dhe vendosja e një stabiliteti më të madh.

VMRO-DPMNE-ja madje dëshiron që në qeverinë e ardhshme t’i shohë partitë opozitare shqiptare, edhe pse pajtohen se nuk e kanë fuqinë që ka aktualisht BDI-ja, megjithatë konsiderojnë se ekziston pakënaqësi e madhe në radhët e trupit votues etnik shqiptarë që besojnë se kjo do të nxiste disa ndryshime në këtë rast.

Për BDI-në zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë dhe nuk duhet të ketë.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe nuk do të ketë, sepse maksimalisht jemi të interesuar për realizimin e përcaktimeve programore që janë para nesh dhe për të cilat qytetarët na dhanë mandatin. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por zgjidhje janë adresimi i të gjitha nevojave dhe problemeve të qytetarëve”, theksojnë nga BDI-ja për MIA-n.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët pretendon se është e gatshme për zgjedhje kurdo që të mbahen ato. Në deklaratën për MIA-n ata vlerësojnë se vendit i duhet shumicë e re, pushtet i ri, më stabil, i pastër dhe i cili do të luftojë kundër korrupsionit.

Sipas partisë, prioritet numër një pas Vitit të Ri duhet të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese, fillim i negociatave me BE-në, si dhe miratimi i ligjeve dhe mekanizmave për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Edhe nga partia Alternativa për MIA-n theksuan se nuk shohin arsye për zgjedhje të parakohshme parlamentare, por, siç thonë, nëse ato ndodhin, partia është e gatshme të marrë pjesë me kapitalin e saj politik dhe performancën në Qeveri dhe të garojë me politikën e saj programore. Zgjedhje thonë prej atje nuk presin deri në vitin 2024 dhe tani, shtojnë ata, është kohë për punë.

Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova në një deklaratë me shkrim për MIA-n, thekson se qëndrimi i saj personal është se zgjedhje të parakohshme në këtë moment të pafavorshëm të krizës ekonomike dhe energjetike të pasuara me luftë që po ndodhë në kontinentin evropian nuk duhet të ketë.

“Shumica parlamentare është stabile, që është parakusht themelor për funksionimin normal të shtetit, problemet menaxhohen dhe nuk ka përshkallëzim të krizës politike, pra nuk ka asnjë arsye për të shpenzuar kohë dhe mjete për zgjedhje të parakohshme parlamentare që do ta pengonte shtetin në një situatën tashmë komplekse në nivel makro. Duhet të mësojmë atë që ligjvënësi ka paraparë si përjashtim, të mos e vendosim si rregull bazë që ishte praktikë e shpeshtë në të kaluarën”, thekson Zajkova.

Nga Lëvizja BESA morëm përgjigje se besojnë se Qeveria nuk ka kapacitet dhe legjitimitet politik për të përfaqësuar qytetarët dhe prandaj sipas tyre, zgjedhjet janë të nevojshme. Ata besojnë se në vitin 2023 duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia “E Majta” konsideron se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të nënkuptojnë “shans për të rivendosur pozitat kombëtare maqedonase, për të ndalur procesin e shpërbërjes së elementeve kombëtare dhe një hap drejt fitores përfundimtare të shumicës ndaj vullnetit të pakicës”.

Partitë nuk janë në një vijë për stabilitetin e shumicës parlamentare në Kuvend

Për LSDM-në, shumica parlamentare është stabile dhe vazhdimisht rritet, ndërsa VMRO-DPMNE vlerëson se Kuvendi është jofunksional për miratimin e ligjeve me shumicë të thjeshtë, e lëre më për dy të tretat e zgjidhjeve sistematike ligjore.

“Partitë progresive, demokratike dhe me orientim evropian, njohin mundësinë për të rrumbullakuar procesin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Çështja e dy të tretave të ligjeve është çështje serioze dhe shtetërore. Është çështje parimesh, nëse deputetët tjerë përkrahin rrugën evropiane ose jo”, thonë nga LSDM.

LSDM, shtojnë nga kjo parti, bën thirrje në unitet social dhe politik për rrugën evropiane të vendit.

VMRO-DPMNE nga ana tjetër thekson se me bllokadë aktive kanë arritur të pengojnë disa zgjidhje të dëmshme dhe si të tilla t’i ngadalësojnë.

“Kuvendi është jofunksional, as për ligje me shumicë të thjeshtë, as për dy të tretat e zgjidhjeve sistematike ligjore. Në koalicionin qeverisës sundon kaos. Krimi dhe korrupsioni dhe përçarja në taborin qeveritar reflektohet edhe në Kuvend. Me bllokadën aktive arritëm që të pengojmë disa zgjidhje të dëmshme, disa t’i ngadalësojmë dhe kështu do të jetë deri në zgjedhje”, përgjigjen për MIA-n nga VMRO-DPMNE.

Shumica parlamentare, sipas BDI-së është stabile dhe konsiderojnë se nuk janë përballur me ndonjë krizë në kuadër të shumicës parlamentare.

“Maksimalisht jemi të fokusuar në realizimin e përcaktimeve para qytetarëve dhe për të cilat kemi fituar besimin, ndërsa janë shndërruar në përcaktime qeveritare për të cilin program të gjithë kemi votuar. Prandaj jemi të fokusuar maksimalisht që ta çojmë deri në fund këtë mandat, duke realizuar plotësisht të gjitha ato kërkesa të qytetarëve, që të mos ketë krizë dhe jemi maksimalisht të interesuar që të sigurojmë një front të gjerë proevropian me të gjitha partitë politike, oganizata joqeveritare, të gjitha palët e interesuara, duke filluar nga partitë politike për realizimin e qëllimit tonë strategjik, e ai është anëtarësimi sa më i shpejtë në BE”, thotë në BDI.

Aleanca për Shqiptarët thotë se jo vetëm për dy të tretat e shumicës, por Kuvendi në shumë raste nuk kishte as shumicë të thjeshtë.

“Të rikujtojmë vetëm një moment të rëndësishëm, votimin e konkluzioneve për propozimin francez me të cilin hapet rruga drejt BE-së. Shumica nuk kishte deputetë të mjaftueshëm për kuorum dhe Aleanca për Shqiptarët e shpëtoi procesin me deputetët e saj”, thonë nga kjo parti për MIA-n.

Sipas Zajkovës nga PLD-ja, madje shumica parlamentare në thelb është stabile dhe unike kur bëhet fjalë për zgjidhje ligjore me interes shtetëror dhe qytetar.

“Jam e bindur se ashtu do të mbetet për sa kohë mbetemi në rrugën e duhur drejt familjes evropiane duke mundësuar masa konkrete”, thotë Zajkova për MIA-n.

Sipas Alternativës, nuk mund të lavdërohemi kur bëhet fjalë për shumicën prej dy të tretave, sepse për këtë nevojitet konsensus më i gjerë. Kjo, siç theksojnë ata, lidhet drejtpërdrejtë me relacionet e përgjithshme politike ndërmjet subjekteve politike.

“Por nga ana jonë me përgjegjësi të plotë mund të pohojmë se kemi qenë dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në formimin e një shumice prej dy të tretash, varësisht nga tema për të cilën kërkohet”, theksojnë nga Alternativa.

Në këtë moment, siç konsideron partia “E Majta”, përbërja parlamentare është një mbështetje legale për një qeveri jolegjitime.

“Pasi ndodhi cirku i vitit të kaluar rreth riformësimit të shumicës, regjimi hibrid i Zoran Zaevit u shndërrua në një regjim krejtësisht autoritar – pa legjitimitet dhe paqëndrueshmëri të vazhdueshme që çon në një krizë politike të përmasave të paprecedentë, duke mos respektuar vullnetin e popullit dhe duke e shndërruar mandatin nga një besim përfaqësues në një trofe dhe rryma të errëta në LSDM, lojëra që hapin edhe më shumë hapësirë ​​për shkatërrimin e sistemit politik nga partneri i tyre më i madh dhe superior i koalicionit”, thekson “E Majta”.

Vlerësime të partive për funksionalitetin e Kuvendit gjatë vitit të kaluar

Për partitë në pushtet edhe krahas bllokadave nga opozita në Kuvend janë miratuar një sërë ligjesh dhe aktesh në shërbim të qytetarëve, ndërsa për partitë parlamentare opozitare, shtëpia ligjvënëse ishte jofunksionale.

“Në vitin 2022 jemi dëshmitarë të një bllokade të vazhdueshme të Kuvendit nga ana e opozitës, duke përfshirë ligje që nënkuptojnë mbështetje për qytetarët në kohë krize. Cirk, teatër dhe sjellje të pahijshme për qytetarët, ofruan deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët shpeshherë harrojnë se janë të zgjedhur të popullit dhe se interesat e qytetarëve duhet të jenë në rend të parë. Por krahas të gjitha obstrukcioneve të opozitës, në Kuvend u votua propozimi evropian me çka nisën negociatat me BE-në, si dhe një pako masash ekonomike në vlerë 760 milionë euro, për mbështetje për qytetarët dhe ekonominë në kohë të krizës ekonomike dhe energjetike”, theksuan për MIA-n nga LSDM.

Për VMRO-DPMNE-në opozitare, Kuvendi që “nuk miraton vendim për të siguruar ushqim për studentët dhe ikë nga çështje të tilla si skandali me Onishçenkon, jo vetëm që është jofunksional, por edhe i shkatërruar”.

“Mbisundon kaos në qeveri, si në koalicion ashtu edhe në partitë në pushtet. Prandaj duhen zgjedhje me shumicë të qëndrueshme drejt zgjidhjeve reale për shtetin”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga BDI, madje me apel për të gjitha partitë politike parlamentare që të reflektojnë në drejtim të asaj që është interes i qytetarëve.

“U përballëm me një bllokadë aktive me qasje destruktive nga opozita dhe kjo ndikoi në dinamikën dhe efektivitetin e punës së Kuvendit. Por edhe krahas kësaj mendoj se Kuvendi si tërësi arriti efektin e saj, edhe pse kjo mundej të përfundojë më efektivisht. Bllokada aktive sigurisht që ndikon edhe në interesat e qytetarëve, sepse pa asnjë arsye kemi zgjidhje të shumta ligjore që kanë ngecur prej muajsh pa asnjë shpjegim. Pastaj disa prej tyre, pasi kanë kaluar muaj, disa edhe vite, miratohen nga ana e Kuvendit. Pra, duhet që çdo parti politike të reflektojë në drejtim të asaj që është interesi i qytetarëve”, theksojnë nga BDI për MIA-n.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Kuvendi në vitin 2022 nuk ishte në krye të detyrës dhe punës.

“Qëllim parësor i saj është kontrolli mbi pushtetin ekzekutiv, por luajti një rol krejtësisht të kundërt, shumica ishte nën diktatin e qeverisë. Gjithashtu kishte edhe disa incidente, veprime të kundërligjshme, injorim të zërit të opozitës dhe ngjarjeve të padëshiruara. Shumica, poashtu nuk ka qenë stabile dhe kishim shumë vonesa dhe anulime, ndërsa nga ana tjetër shumë iniciativa tona u injoruan”, theksojnë nga kjo parti.

PLD-ja madje vlerëson punën parlamentare me notën tre dhe sipas tyre vërejtja më e madhe në raportin e fundit për gatishmërinë e shtetit për anëtarësim në BE i drejtohet Kuvendit, me kritika për zbatim të pamjaftueshëm të ligjeve dhe shfrytëzim shumë të vogël të pyetjeve të deputetëve dhe e gjithë kjo sipas lideres së partisë Zajkova është për shkak të polarizimit politik të dy blloqeve në Parlament.

Alternativa konsideron se Kuvendi gjatë këtij viti ka punuar me kapacitet të plotë, ndërsa shumica ka qenë stabile.

“Edhe pse në disa raste kemi pasur probleme me bllokadat e vendosura nga opozita, kryesisht puna ka qenë solide dhe ne, si pjesë e shumicës kemi arritur të miratojmë një sërë ligjesh dhe aktesh që do të jenë në shërbim të qytetarëve. Sigurisht se gjithmonë mund të jetë më mirë, por nëse parashtrojmë pyetje nëse kemi pasur një Kuvend funksional gjatë vitit 2022, përgjigja do të ishte PO”, theksojnë nga kjo parti.

Për BESËN, Kuvendi përdoret nga shumica vetëm si mekanizëm për të votuar arbitraritetin e partive të shumicës parlamentare.

“Zëri i opozitës nuk dëgjohet dhe në të shumtën e rasteve nuk lihet hapësirë ​​për debate konstruktive. Kjo shumicë me vështirësi po miraton ligje me shumicë të thjeshtë për shkak të mungesës së kapaciteteve për të miratuar vendime me konsensus më të gjerë, e lëre më dy të tretat e ligjeve”, shtojnë nga BESA.

Sipas “Të Majtës”, institucionet kurrë nuk kanë qenë më larg popullit.

Nga atje theksojnë se pushteti ekzekutiv “tërësisht është dorëzuar në duart e tradhtarëve”, ndërsa në Kuvend me të gjitha mjetet e disponueshme kryhet “shtypje e veprimtarisë së opozitës autentike”.

Burimi: zhurnal.mk

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

2022, një vit me zhvillime të rëndësishme për Gjykatën e Lartë të SHBA-së

Story i radhës

Ministri izraelit i Sigurisë shtyn vizitën e planifikuar në xhaminë Al-Aksa

Të fundit nga

ShkoLartë