Arben Taravari, njeriu që doli në skenën politike si “shpresë për ndryshim” dhe përfundoi si altoparlant i VMRO-së, sot doli para mediave për të deklaruar largimin nga Qeveria dhe “kthimin tek populli”. Por çfarë populli e pret Taravarin pas këtij rrokullimi moral e politik? Ai që e pa duke iu servilosur Mickoskit e duke i dhënë të drejtë për fatin e shqiptarëve?
Shkruan: Drita Beqiri, opinioniste
Sot u vulos ajo që ishte e ditur prej kohësh, Arben Taravari nuk është më politikan i shqiptarëve, por ushtar i bindur i Hristijan Mickoskit. Ai është i vetmi lider shqiptar që e pranon publikisht se nuk vendos për fatin e partisë së tij, por e delegon atë tek një politikan maqedonas.
Me këtë akt, Taravari nuk e braktisi Qeverinë, por e braktisi veten nga çdo nocion i dinjitetit politik. Ai nuk u largua për “parime”, por për panik! Sepse brenda koalicionit VLEN, plani i tij për t’i kthyer pushtetin Ali Ahmetit përmes zgjedhjeve të përbashkëta lokale e parlamentare, dështoi me turp.
Burime të besueshme nën hije flasin për një skandal të rëndë korruptiv. Taravari dyshohet se është inçizuar nga përfaqësues të kompanisë Gjoka Construction, ndërsa merrte rryshfet për tenderin e menaxhimit të parkingut në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Videoja? Në duart e Ali Ahmetit, i cili me mjeshtri e shantazhoi, duke e detyruar që të shkundet nga pushteti dhe të krijojë një krizë politike që do t’i shkonte për shtat klanit NON GRATA.
Në vend të përballjes, Taravari zgjodhi dorëheqjen. Në vend të sqarimeve, zgjodhi viktimizimin. Në vend të popullit, zgjodhi errësirën e kulisave ku gjithçka shitet e gjithçka blihet.
Populli që dikur e besoi, sot e njeh më mirë se kurrë, Arben Taravari është një politikan që i përket së kaluarës, një peng i interesave të huaja, një emër që nuk ka më peshë, as në Qeveri, as në rrugë. Thjesht, një zë që heshti përballë përgjegjësisë, por që do të dëgjojë shumë gjatë britmën e turpit.