Pas një operacioni ndërkombëtar në dhjetë shtete janë arrestuar disa persona, mes tyre katër në Shqipëri. Ata dyshohet se kishin mashtruar qindra mijëra investitorë evropianë.
Aksioni i datave 8 dhe 9 nëntor, i cili është realizuar mes autoriteteve në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Bullgari, Finlandë, Gjeorgji, Gjermani, Letoni, Suedi, Spanjë dhe Ukrainë, ka shkatërruar një grup kriminal.
Kështu u tha në një konferencë të përbashkët mes Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe policisë spanjolle, më 10 nëntor në Tiran.
Nga ky aksion janë arrestuar pesë persona, nga ta katër në Shqipëri dhe një në Gjeorgji. Në kërkim janë shpallur gjashtë shtetas shqiptarë.
Sipas kreut të SPAK-ut, Arben Kraja, janë kontrolluar gjashtë Call Center dhe pesë banesa lokacione të ndryshme, Tiranë, Vlorë dhe Elbasan. Sipas tij, prej këtyre qendrave ndryshonin vendndodhje apo emërtim, si dhe kryenin bashkime biznesesh për t’i ikur organeve ligjzbatuese.
Janë sekuestruar rreth 600 pajisje kompjuterike, laptopë, usb, si dhe portofolio kriptovalutash në vlerën prej rreth 15 mijë dollarë dhe 90 mijë euro para të gatshme.
Si u mashtruan investitorët evropianë?
Ky grup përdori dhjetëra qendra Call Center dhe qindra platforma kompjuterike për të kryer mashtrimet online duke vjedhur të ardhurat përmes kriptovalutave.
Të dyshuarit paraqiteshin si ndërmjetës për të ndihmuar investitorët që të fitonin shuma të mëdha parash me investime të vogla. Në fakt ata i mashtruan investitorët dhe arritën të krijonin disa Call Center.
Duke vepruar në këtë mënyrë, mashtrimi vetëm sa thellohej, pasi investitorët besuan dhe u inkurajuan të shtonin investimet e tyre në platformat që kontrolloheshin nga ky grup, dhe kjo solli miliona euro humbje për ta.
Dëmi i shkaktuar, sipas SPAK, llogaritet 50 milionë euro çdo tre muaj.
Për këtë operacion, hetimet në Shqipëri kishin nisur në fillim të vitit 2020.
Për kryerjen e operacionit, i cili ishte i koduar si “Frida-Refox”, EUROJUST (Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale) ngriti një qendër të posaçme koordinimi për bashkëpunim të shpejtë të autoriteteve që ishin pjesë e këtij operacioni./REL