Të paktën 50 persona janë vrarë si pasojë e ofensivës tokësore, ajrore dhe detare të Izraelit të ndërmarrë në pjesën veriore të Rripit të Gazës.
Kështu ka njoftuar agjencia e mbrojtjes civile që udhëhiqet nga Hamasi.
Palestinezët thonë se ushtria izraelite mëngjesin e së premtes ka nisur një operacion në shkallë të gjerë në veri të Gazës. Sipas banorëve lokalë, ofensiva ka nisur me hedhjen e bombave të tymit e më pas me granatime të ashpra të artilerisë nga pozicionet e afërta. Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende për operacionin që ka nisur.
Ndërkohë, presidenti amerikan, nga Emiratet e Bashkuara Arabe ku po qëndron për vizitë, në ditën e fundit të vizitës në Lindjen e Mesme, ka folur për Gazën, duke thënë se njerëzit atje po vdesin urie.
Trump tutje ka thënë se do të përkujdeset që situata të rregullohet, por pa treguar apo pa dhënë detaje të tjera se si do të bëhet kjo.
Tash e 10 javë, Rripi i Gazës është në bllokadë të plotë të furnizimeve me ushqim apo ndihma të tjera humanitare.
Vetëm dje, të enjten, nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, u vranë më shumë se 140 persona.
Burimi: botasot.info