Të paktën 11.300 njerëz kanë humbur jetën dhe mbi 10.000 të tjerë mbeten ende të zhdukur nga përmbytjet vdekjeprurëse në qytetin lindor të Libisë, Derna, thanë Kombet e Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra e Çështjeve Humanitare të OKB-së (OCHA) tha se rreth 170 njerëz kanë humbur jetën jashtë qytetit Derna nga përmbytjet e shkaktuara nga stuhia mesdhetare “Daniel”.
Sipas zyrës së OKB-së, më shumë se 40.000 njerëz janë zhvendosur nëpër zonat verilindore të Libisë që nga fillimi i përmbytjeve shkatërruese më 10 shtator.
“Këto shifra pritet të rriten ndërsa ekuipazhet e kërkim-shpëtimit po punojnë pa u lodhur për të gjetur të mbijetuar”, tha OCHA.
Një burim i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Libiane, ndërkohë, tha për Anadolu se numri i të vdekurve në Libi pritet të kalojë mbi 10.000.
Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se të mbijetuarit janë në mijëra dhe janë strehuar në shkolla.
“Është e vështirë të numërohet saktësisht numri i të mbijetuarve pasi shumë prej tyre janë zhvendosur në shtëpitë e të afërmve të tyre në qytete të tjera”, shtoi ai.
Derna u godit më së shumti përmbytjet vdekjeprurëse që ndodhën pasi digat e qytetit shpërthyen, duke rrëmbyer shtëpi dhe njerëz.
Përpjekjet e shpëtimit po zhvillohen me intensitet të plotë në qytetin bregdetar për të kërkuar të mbijetuarit mes shkatërrimeve masive.