OKB: Mbi 71 milionë persona jetojnë në varfëri

min lexim

Rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë ka shtyrë mbi 71 milionë persona në mbarë botën në varfëri që nga fundi i shkurtit kur Rusia nisi luftën ndaj Ukrainës, tha një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e Programit për Zhvillim i OKB-së (UNDP), i publikuar më 7 korrik, gjithashtu paralajmërohet për rrezikun e trazirave shoqërore në disa vende për shkak të trazirave ekonomike.

Achim Steiner, administrator i kësaj agjencie, tha se analizat e bëra në 159 shtete në zhvillim tregojnë për rritje të çmimeve të mallrave këtë vit që kanë goditur pjesë të Ballkanit, Afrikës Nën-Sahariane, Azisë dhe gjetkë.

“Kostoja e jetesës po çon miliona njerëz në varfëri dhe madje edhe uria po përhapet me shpejtësi marramendëse”, tha ai përmes një deklarate.

“Me këtë, kërcënimi i rritjes së trazirave shoqërore po rritet nga dita në ditë”, shtoi ai.

Ukraina është një prodhuese e madhe e drithërave dhe eksportuese e këtyre produkteve dhe dërgesat e saj ushqimore janë kritike për shumë shtete në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Por, portet e saj në Detin e Zi janë bllokuar nga forcat ruse, duke bërë që të rriten çmimet e ushqimeve dhe duke shtyrë dhjetëra-miliona njerëz drejt varfërisë.

Rusia dhe Ukraina së bashku përbëjnë pothuajse çerekun e eksporteve globale të grurit dhe mbi gjysmën e eksporteve të vajit të lulediellit.

Çmimet e energjisë po ashtu janë rritur pas paqartësive lidhur me luftën, por po ashtu për shkak se Rusia ka ndërprerë disa eksporte të naftës dhe gazit. Para luftës, Rusia ishte eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror dhe eksportuesja e dytë e naftës së papërpunuar.

Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, që janë vendosur për ta ndëshkuar Moskën për shkak të pushtimit të Ukrainës, kanë përkeqësuar gjithashtu presionet inflacioniste.

Disa shtete janë goditur më së keqi nga inflacioni, tha kjo agjenci e OKB-së, përfshirë Haitin, Argjentinën, Egjiptin, Irakun, Turqinë, Filipinet, Ruandën, Sudanin, Kenian, Shri Lankën dhe Uzbeksitanin.

Në shtetet si Afganistani, Etiopia, Mali, Nigeria dhe Jemeni, ndikimi i inflacionit është më i madh, për shkak se këto shtete veçse kanë nivele të larta të varfërisë.

Numri i përgjithshëm i personave që jetojnë në varfëri ose janë në prag të varfërisë është mbi 5 milionë ose nën 70 për qind e popullsisë së botës, tha UNDP./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Një gabim i rëndë juridik dhe politik i kryeministrit Abazoviç

Story i radhës

4 rregulla për një veshje sa më etike gjatë intervistave të punës

Të fundit nga