OKB: Eksporti i drithit ukrainas duhet të rifillojë brenda pak ditësh

min lexim

Kombet e Bashkuara thanë të hënën se eksportet e drithit nga Ukraina duhet të rifillojnë brenda pak ditësh, ndërsa dënuan bombardimin nga Rusia të portit kryesor në Detin e Zi, Odesa, vetëm brenda pak orësh pasi ra dakort të rifillohej transporti i ushqimeve.

Eksporti i drithit do të bëhet nga Odesa dhe dy porte të tjera në Detin e Zi, nga porti Chernomorsk dhe Yuzhny, tha zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, i cili shtoi se “duam të sigurohemi se do të jenë të gjitha kushtet e duhura për udhëtimin e sigurtë të anijeve”.

“Çdo gjë që nuk i përmbahet kësaj, sigurisht që nuk ndihmon për suksesin e kësaj iniciative”, tha zoti Haq ndërsa përsëriti dënimin nga Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres të sulmit me raketa ruse ndaj Odesas.

Sidoqoftë, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u shpreh se “nuk ka asgjë në angazhimet (për eksportin e drithit) që firmosi Rusia në Stamboll, që do të na ndalonte vazhdimin e operacionit tonë special ushtarak, shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake dhe objektivave të tjera ushtarake”.

Rusia tha të hënën se goditjet e saj me raketa ndaj objekteve ushtarake në Odesa, nuk duhet të ndikojnë tek marrëveshja për rifillimin e eksportit të drithit.

Zjarrfikësit duke punuar tek një nga objektet e goditura nga raketet ruse në portin Odesa (23 korrik 2022)

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se sulmet “nuk kanë lidhje me infrastrukturën që përdoret për eksportin e grurit”.

Rusia fillimisht kishte mohuar çdo përfshirje në sulmin e së shtunës, por tha të dielën se forcat e saj ishin përgjegjëse.

Zyrtarët ukrainas thanë se po punonin për të rikthyer eksportet e grurit pas marrëveshjes së nënshkruar të premten nga Ukraina dhe Rusia.

Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndihmuan me ndërmjetësimin e marrëveshjes, e cila kërkon që flota ruse në Detin e Zi të lejojë kalimin e sigurt nëpër zonat që Rusia ka bllokuar që kur nisi pushtimin e saj në Ukrainë në fund të shkurtit.

Marrëveshja u përshëndet si një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së një krize globale të ushqimeve, dhe shefi i OKB-së Guterres e quajti atë “një fener shprese, mundësie dhe lehtësimi”.

Pas sulmit të së shtunës, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kritikoi Rusinë, duke thënë se ajo po rrezikonte marrëveshjen e grurit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sulmi “hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes [të së premtes] dhe dëmton punën e OKB-së, Turqisë dhe Ukrainës për të sjellë ushqime jetësore në tregjet botërore”./VOA

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Agence France-Presse dhe Reuters.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Pse Bashkimi Evropian duhet t’i hapë dyert për Ballkanin Perëndimor

Story i radhës

Roma afër transferimit të mbrojtësit të Manchester United

Të fundit nga