OKB: Ekipet e emergjencës janë gati për t’u vendosur në Türkiyen e goditur nga tërmeti

February 6, 2023
1 minut lexim

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) ka bërë të ditur se ekipet e saj emergjente janë gati për t’u vendosur në rajonet e goditura nga tërmeti në Türkiye dhe Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Jemi të tronditur nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiyen dhe Sirinë në kulmin e një dimri të ashpër”, tha UNOCHA në llogarinë e saj në twitter.

“Ekipet po vlerësojmë dëmin me përgjigjen emergjente UNDAC (Vlerësimi dhe Koordinimi i Katastrofave i OKB-së) dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë të gatshme për t’u vendosur”, shtoi UNOCHA.

Po ashtu edhe komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, tha se UNHCR-ja është në solidaritet me popullin e Türkiyes dhe Sirisë. Ai tha se janë gati “të ndihmojnë në ofrimin e ndihmës urgjente për të mbijetuarit përmes ekipeve në terren kudo që të jetë e mundur”.

Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiyes (AFAD), të paktën 1.498 persona kanë humbur jetën dhe 8.533 të tjerë janë plagosur pas tërmetit të fuqishëm që goditi Türkiyen jugore mëngjesin e sotëm.

Deri më tani, 13 vende të Bashkimit Evropian (BE) kanë ofruar ekipe shpëtimi për të ndihmuar Türkiyen pas tërmetit. Sipas Komisionit Evropian, këto vende përfshijnë Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Francën, Greqinë, Holandën, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Italinë, Spanjën, Maltën dhe Sllovakinë.

Ndërkohë, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë së regjimit sirian dhe Mbrojtjes Civile Siriane, nga tërmeti në Siri jetën e kanë humbur të paktën 476 persona, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur.





MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Tërmeti në Turqi i merr jetën portierit turk

Story i radhës

Publikohen rregulloret për kompensim e shtesa për zyrtarët publikë

Të fundit nga

ShkoLartë