Afërsisht gjysmë milioni palestinezë janë zhvendosur gjatë ditëve të fundit si pasojë e përshkallëzimit të operacioneve ushtarake izraelite në jug dhe veri të Gazës, njoftojnë Kombet e Bashkuara.
Rreth 360 mijë palestinezë u larguan nga Rafahu, në jug të Gazës, gjatë javës së shkuar, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë. Përpara se sa Izraeli të ndërhynte në Rafah, atje strehoheshin rreth 1, 3 milionë palestinezë. Autoritetet izraelite thonë se në Rafah gjendet baza e fundit e Hamasit.
Trupat izraelite po luftojnë militantët e Hamasit edhe në veri të Gazës, ku ushtria ndërmorri një operacon të madh në fillim të luftës.
Urdhrat për evakuim që u lëshuan të shtunën kanë detyruar zhvendosjen e më shumë se 100 mijë njerëzve deri më tani, tha për gazetarët të hënën një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara.
Gjatë javës së fundit, nga dy pikat kryesore kufitare në jug të Gazës nuk ka hyrë asnjë ushqim. Më shumë se 1.1 milionë palestinezë në Gazë përballen me nivele urie katastrofike, në prag të urisë ndërsa veriu përballet me zi buke, sipas Kombeve të Bashkuara.
Gjatë shtatë muajve të sulmeve ajrore dhe operacioneve tokësore të Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të autoriteteve të shëndetësisë, që kontrollohen nga Hamasi.
Lufta nisi në 7 tetor kur Hamasi, e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, sulmoi Izraelin, duke lënë të vrarë 1200 persona, shumica civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite.
Izraeli thitë se militantët mbajnë akoma peng 100 persona si dhe trupat e 30 të tjerëve./VOA
Burimi: botasot.info