1
Ohër, 22 dhjetor – Në korrik të vitit të ardhshëm do të mësohet nëse rajoni i Ohrit do t’i shpëtojë listës së zezë së UNESCO-s, atëherë kur do të rishikohet statusi. UNESCO e ka shtyrë këtë vendim disa herë deri më tani, me kërkesën që të plotësohen rekomandimet e dhëna.
“A është Ohri i gatshëm të jetë në listën e zonave të rrezikuara? Ohri nuk është politikisht i gatshëm dhe ndoshta në terren është gati. Për sa kohë që ne tregojmë përpjekje që duam të bëjmë diçka, ata nuk do të na vendosin, në momentin që ne fillojmë t’i rezistojmë asaj që na japin dhe ne nuk pajtohemi, atëherë do të jemi në atë listë”, tha Sasho Korunoski – profesor universitar për trashëgimi kulturore.
Ekspertët e huaj thonë se Ohri është i vështirë për t’u menaxhuar dhe për këtë lindin problemet me UNESCO-n, sepse është qytet i gjallë, por rajoni u përket dy vendeve, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
“Menaxhimi është çelësi i suksesit, sepse bëhet fjalë për menaxhim që duhet të jetë ndërkufitar, si nga Maqedonia ashtu edhe nga Shqipëria. Ohri është gjithashtu qytet i gjallë me turizëm të zhvilluar dhe vet turizmi krijon mënyra të caktuara që cenojnë trashëgiminë. Mendoj se gjetja e mundësive për krijimin e formave të tjera të qëndrueshme të turizmit dhe zhvillimit është vendimtare për Ohrin, veçanërisht nga aspekti që turizmi masiv aktual i krijon probleme të caktuara”, tha Rajan Depik- arkitekt.
Korunoski shton se ka plane të ndryshme në letër, të cilat më në fund duhet të realizohen në terren. Në prani të përfaqësuesve nga Shqipëria dhe Maqedonia, në Ohër u prezantua platforma e trashëgimisë kulturore të patundshme dhe objekteve arkeologjike të rajonit të Ohrit. Bëhet fjalë për 160 objekte të mbrojtura dhe 350 zona arkeologjike.
BURIMI: zhurnal.mk