Që nga viti 2019, në liqenin e Ohrit nuk ka pasur shumim artificial të troftës në Ohër, gjë që ndikon negativisht edhe në situatën tashmë alarmante me këtë lloj endemik të peshkut.
Peshkatarët sportiv thonë se është e papranueshme që vite me radhë të mos ketë shumim të troftës dhe ngjalës.
“Më parë është bërë shumim artificial dhe liqeni i Ohrit është pasuruar me më shumë se 2 milionë trofta. Por, tani kur shteti është i detyruar ta bëjë këtë, ta rrit numrin e tyre në liqen, nuk e bën këtë”, tha Radovan Dimitrievski- peshkatar rekreativ.
Dimitrievski thotë se paraprakisht kanë pasur rezerva për mënyrën e kryerjes së shumimit, e financuar nga shteti, për të cilat janë ndarë rreth 200 mijë euro.
“Nga këto, 150 mijë euro i ka marrë koncesionari i peshkimit komercial, ndërsa 50 mijë euro të tjera kanë mbetur për institucionet shkencore, të cilat më pas është dashur të kujdesen për troftën e Ohrit në masë të caktuar dhe më pas ta lëshojnë në ujë. Por për shkak të mungesës së fondeve, për vezët nuk janë kujdesur në masën e duhur dhe në liqen janë lëshuar peshq të vegjël, të cilët ishin ushqim për troftën. Kjo duhet ndryshuar, është gjithashtu tragjike që koncesionari i peshkimit komercial nuk ka asnjë detyrim për ta shtuar numrin në liqen, që do të thotë se shteti e bën këtë ndërsa ai thjesht e përdor numrin e peshqve. Kjo do të thotë që shteti ia mbjell arën ndërsa ai vetëm e korr”, shtoi ai.
Institucionet kompetente për shumimin artificial e hedhin fajin te mungesa e vezëve.
Nga Instituti hidrobiologjik thonë se janë në pritje të miratimit të ligjit të ri për peshkim.
“Shpresoj që shumë nga vërejtjet tona të jenë inkorporuar në atë ligj, janë dhënë udhëzime se çfarë ndryshime duhet të pësojë ligji që ne të funksionojmë normalisht në drejtim të mbrojtjes së këtij lloji të peshkut dhe në drejtim të plotësimit të kushteve për shumimin artificial. Dhe pastaj do t’i zgjidhim problemet, që i kemi në institut”, u shpreh Ohridija Taseska– drejtoreshë e Institutit hidrobiologjik.
“Në programet vjetore për përkrahje financiare në peshkim dhe akuakulturë, çdo vit parashikohen mjete për rritjen e vezëve dhe rritjen e numrit të tyre në liqenit e Ohrit. Shumimin e bëjnë disa qendra të regjistruara të riprodhimit. Në vitet e kaluara për shkak të problemeve teknike nuk është paraqitur asnjë kërkesë për vezë artificiale dhe rritjen e numrit në liqen”, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Për dallim nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria është e mbushur me troftë të Ohrit vitet e fundit.